Pretendenti arab për kreun e Interpolit, nën akuzë për ushtrim torture
Një kandidat mbi të cilin rëndojnë akuzat për torturë është mes kandidatëve për kreun e Interpolit. Organizata të të drejtave të njeriut dhe politikanë të ndryshëm janë ngritur kundër zgjedhjes së gjeneral major Ahmed Naser Al-Raisit, nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Interpol zgjedh javën e ardhshme kreun e ri. Kandidati që merr postin e kreut të kësaj agjencie zë vendin e Kim Jong-yang nga Koreja e Jugut, në detyrë që prej vitit 2018.
Në Gjermani, tre politikanë të tre partive të mëdha dolën me një deklaratë të përbashkët, me të cilën kundërshtojnë kandidaturën e Al-Raisit.
“Duke pasur parasysh të dhënat për gjendjen e të drejtave të njeriut në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), emërimi i zotit Al-Raisi si president do të ishte në kundërshtim të hapur me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe misionin e organizatës”, thuhet në deklaratën që mban firmën e Kai Gehring (Të Gjelbërit), Peter Heidt (Demokratët e Lirë) dhe Frank Schwabe (Social Demokratët).
Deputetët gjermanë e akuzojnë Al-Raisin se është "përfshirë drejtpërdrejt në shkeljet e të drejtave të njeriut në një sërë rastesh të profilit të lartë".
“Si përfaqësues i shtetit të Emirateve të Bashkuara Arabe, zoti Al-Raisi është pjesë e një aparati sigurie që synon sistematikisht disidentët paqësorë”, thuhet në letrën e cituar nga DW.
Deklarata thekson më tej se të drejtat civile dhe politike janë të kufizuara rreptësisht në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe se disidentët, gazetarët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut janë subjekt i hakmarrjeve të ashpra, duke përfshirë zhdukjet, torturat dhe ndalimet arbitrare sipas ligjeve drakoniane kundër terrorizmit.
Por tre politikanët gjermanë nuk janë të vetmit që kundërshtojnë Al-Raisin.
Në fund të tetorit, Human Rights Watch – së bashku me 18 grupe të tjera të të drejtave të njeriut – kishin shprehur shqetësimet për kandidaturën e Al-Raisi.
Në Francë, 35 anëtarë të parlamentit francez i bënë thirrje presidentit Emmanuel Macron që të kundërshtojë kandidaturën e Al-Raisi.
Add new comment