Autoportreti i Kahlos thyen rekordin e artistëve të Amerikës Latine
Një autoportret i piktores meksikane, Frida Kahlo, u shit për 34.9 milionë dollarë në një ankand të organizuar nga Sotheby’s, raporton Washignton Post. Vepra vendosi një rekord të ri në historinë e shitjeve të veprave që mbajnë autorësinë e një artisti nga Amerika Latine.
Kahlo theu rekordin e mbajtur deri tani nga piktori meksikan dhe bashkëshorti i Kahlo-s, Diego Rivera, piktura e të cilit, "Rivalët", arriti gati 10 milionë dollarë në një ankand të vitit 2018.
E quajtur "Diego dhe unë", piktura e Kahlo është autoportreti i fundit i madh që artistja e njohur bëri para vdekjes së saj në vitin 1954. E famshme për autoportretin e saj në madhësinë e bustit, Kahlo prodhoi disa nga veprat e saj më përfaqësuese dhe më të lakmuara gjatë dekadës së fundit të jetës së saj.
Portreti nxjerr në pah vetullat, tipari ikonik i piktores, ndërsa në fytyrë ka tre pika lot.
Por ajo që e tërheq në mënyrë të veçantë shikuesin është portreti miniaturë i Rivera-s, i vendosur në ballin e Kahlo-s si një sy i tretë, për të cilin kritikët thonë se përfaqëson rëndësinë e Rivera-s në ndërgjegjen e Kahlo-s.
Ankthi dhe pikëllimi që përshkojnë pikturën "Diego dhe unë" mund të interpretohet si pasojë e dhimbjes së Kahlo-s, kur Rivera filloi një lidhje me shoqen e saj María Felíx, një yll gjatë Epokës së Artë të kinemasë meksikane, kohë kur edhe është bërë piktura.
Add new comment