Pasardhësi i Platonit demonstron "një histori sipas midesë" në oborrin e Ilir Metës

Postuar në 13 Nëntor, 2021 16:23

Sot në kangjellat rrethuese të Presidencës së Republikës së Shqipërisë janë vendosur disa materiale prezantuese me natyrë propagandistike dhe interpretim historik. Gjenealogji të supozuara, harta, kopje gravurash, soj e lloj materialesh për lashtësinë e shqipes apo për Çamërinë, pa asnjë të dhënë se çfarë është kjo lloj çorbe. Në krye të materialeve figuron Akademia “Rrënjë Tona” që sipas kërkimit në internet rezulton se ka themelues Sazan Gurin dhe Stefan Pingulin. Që këtej edhe kuptimi për seriozitetin e pretendimeve shkencore të ekspozitës pa leje që dukej si trakt ideologjik mbi një institucion shqiptar. 

Shqiptarët janë grekët e vërtetë. Ja një prej gjetjeve të akademisë në fjalë që nënkupton se Platoni, Sokrati, Aristoteli e të tjerë ishin shqiptarë po janë kaluar në histori për grekë.

Tani është luks i madh të presësh nga njerëz si Ilir Meta të kuptojë se çfarë gëlbaze është ajo që kanë hedhur në kangjellat e institucionit që drejton, por edhe të lësh të kalojë si pa kuptuar këtë shëmti në mes të Tiranës është pak si tepër. Edhe pse në Shqipëri jemi dhe e kemi për zanat që të jemi hëm myslimanë, e hëm katolikë, europianë të thekur por edhe të limaksur pas ashuresë. Ajo paraqitje aty vetëm naivitet nuk është dhe as rrekje shkencore. Është një testim dhe mënyrë për të kontrabanduar idiotizmin për shkencë, është një formë parapolitike që bën më shumë dëm sesa të gjitha marrëzitë e politikës aktuale.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.