Gjykata bllokon urdhrin e Biden për vaksinimin e detyrueshëm
Gjykata e Apelit në SHBA ka bllokuar urdhrin e presidentit Biden, sipas të cilit punonjësit e kompanive me mbi 100 pjesëtarë stafi duhej të vaksinohen detyrimisht ose t’u nënshtrohen testeve javore dhe të mbajnë maska.
Jeff Landry, prokurori i përgjithshëm republikan i Luizianës, tha se vendimi i gjykatës e pengon presidentin Biden të "çojë përpara tejkalimin e kompetencave”.
“Presidenti nuk do të imponojë procedura mjekësore mbi popullin amerikan pa kontrollet dhe balancat e ofruara nga kushtetuta”, citohet ai nga AP.
Administrata e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë (OSHA) mund të "veprojë shpejt në një emergjencë ku agjencia konstaton se punëtorët i nënshtrohen një rreziku të rëndë dhe një standard i ri është i nevojshëm për t'i mbrojtur ata," tha këshilltarja ligjore e Departamentit të Punës, Seema Nanda.
Vendimet të tilla zbatohen për shtetet, në këtë rast Misisipi, Luiziana dhe Teksasi, por gjykata në rastin konkret ofroi një fushëveprimi kombëtar.
"Kjo është një fitore e madhe për popullin amerikan. Asnjëherë më parë, qeveria federale nuk është përpjekur në një mënyrë kaq të fuqishme të hyjë mes zgjedhjeve të një qytetari amerikan dhe mjekut të tij", tha kryeprokurori i Luizianës.
Të paktën 27 shtete e kanë kundërshtuar urdhrin e Biden në gjykatat e qarkut - disa prej të cilave kanë një pikëpamje më konservatore, pas emërimeve gjyqësore gjatë administratës së Trump.
Vaksinimi, si në shumë pjesë të tjera të botës, është inkurajuar gjerësisht nga qeveria e Joe Biden. Tani kjo e fundit duhet t'i japë një përgjigje gjykatës nëse dëshiron të mbajë detyrimin për vaksinën.
Add new comment