Qeveria që sillet e vendos si majmuni
Si hyhet në një restorant, bar, në Europë? A futet me Green Pass? Po, do e vendosim dhe ne, e vendosëm dhe në universitete.
Për qytetarët është e rëndësishme, që ne kemi pika vaksinimi në çdo qendër shëndetësore, dhe në universitete. Do të vendosim ‘Green Pass’ për të hyrë në lokale dhe në strukturat e shërbimit
Këto mesazhe janë përcjellë sot nga salla e Parlamentit nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e cila nuk dihet pse u ka dhënë atyre tonet e një paralajmërimi.
Fjala është për një leje kalimi sanitare për t’u ulur në një bar, për të pirë një kafe, për të disktuar apo për të kaluar kohën. Ne e dimë sesa e rëndësishme apo se çfarë vendi zë në përditmërinë tonë kafja, lokali, bari, restoranti.
Dhe ne po ashtu e dimë, nga autoritet zyrtare të këtij vendi se baret dhe restorantet nuk kanë qenë ndonjëherë vatra të përhapjes së CoVid-19. Madje ne nuk e dimë se kush janë vatrat e përhapjes, për arsye se në Shqipëri nuk u verifikua ndonjëherë ndonjë rritje e menjëhershme e transmetimit. Përtej kësaj ne shohim urbanët e Tiranës, qendrat tregtare të mbipopulluara nga njerëz pa maskë dhe sërish nuk kemi shifra që të shqetësojnë. Padyshim që sëmundja nuk duhet injoruar, ajo madje duhet monitoruar mirë dhe në vijimësi.
Por një qeveri serioze që të paktën mëson disa gjëra nga një situatë e jashtëzakonshme, duhet të adoptojë masa të zbatueshme dhe që janë verifikuar se kanë efektivitet. Shqipëria nuk ka pse t’i bashkohet marrëzisë sanitare të vendeve të BE-së të cilat, për më tepër kanë specifikë tjetër nga ne dhe tjetër fluks lëvizjeje. Këto janë vende që kanë kapacitete për të ndjekur dhe monitoruar masa që kërkojnë shtrëngime dhe kufizime të kësaj natyre, por edhe që në një farë mënyre e kanë bërë këtë politikë pjesë të debatit publik.
Nga ana tjetër, brenda vetë BE-së ka politika të ndryshme dhe nuk ka homogjenizim për pandeminë. Është për këtë arsye shumë irrituese të shohësh një qeveri që sillet si majmuni dhe sesi te masat kundër CoVid-19 nuk ndjek vetëm kujdesin për shëndetin publik, por ndërton edhe alibitë e veta. Kjo të kujton atë absurditetin e kalimit në kufi, kur dihet se e drejta për kthim i takon vendit pritës, por që gjithësesi problemet më të mëdha t’i hap policia shqiptare. Sigurisht sepse është e shqetësuar për parimet e lëvizjes së lirë.
Add new comment