Egjipti nis boshatisjen e Kajros
Me një urdhër të presidentit El-Sissi, nga dhjetori, administrata egjiptiane do të fillojë zhvendosjen e zyrave në kryeqytetin të ri administrativ në shkretëtirë jashtë Kajros.
Presidenti Abdel Fattah el-Sissi ka udhëzuar qeverinë që të fillojë një periudhë prove gjashtëmujore pune nga kompleksi i ri duke filluar nga 1 dhjetori, sipas zëdhënësit të tij, Bassam Radi, i cituar nga Associated Press.
Qyteti me vlerë 45 miliardë dollarë është më i madhi nga mega-projektet që el-Sissi ka nisur që nga marrja e detyrës në 2014. Ai po ndërtohet në një sipërfaqe 170 000 hektarë, rreth 45 kilometra në lindje të Kajros dhe gati dyfishi i madhësisë së tij. Është planifikuar të strehojë 6.5 milionë njerëz.
Kritikët e kanë cilësuar vanitet projektin e kryeqytetit të ri, duke argumentuar se kostoja e tij mund të ishte përdorur për rindërtimin e ekonomisë së shkatërruar dhe rinovimin e Kajros.
Por qeveria ka argumentuar se kryeqyteti i ri është i nevojshëm për të përthithur popullsinë në rritje të Kajros, e cila do të dyfishohet në 40 milionë deri në vitin 2050. Me kryeqytetin e ri, Egjipti synon të tërheqë investitorë dhe të krijojë vende pune për më shumë se 100 milionë banorët e vendit.
Aty janë ndërtuar presidenca, kabineti, parlamenti dhe ministritë. Planifikuesit premtojnë një park publik 21 milje, një aeroport, një teatër opere, një kompleks sportiv dhe 20 grataçela, mes tyre një me lartësi 345 m, rekord për Afrikën.
E përditshmja shtetërore Al-Ahram raportoi se qeveria kishte planifikuar të zhvendoste 52 300 punonjës të qeverisë në kryeqytetin e ri deri në mesin e vitit 2020, por planet e saj u vonuan nga pandemia e koronavirusit.
Zhvendosja e selisë së pushtetit jashtë Kajros është e para që nga pushtimi mysliman në shekullin e VII.
Comments
nga pushtimi mysliman në
nga pushtimi mysliman në shekullin e VII?!
Add new comment