Kina dhe Serbia festojnë "miqësinë e çeliktë"

Postuar në 28 Tetor, 2021 17:16

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, u prit me nderime në Beograd, nga zyrtarët më të lartë serbë, në një kohë kur investimet kineze në Serbi po shihen si një mënyrë që Pekini po përdor për të rritur ndikimin politik në Ballkan.

Serbia dhe Kina i kanë intensifikuar me shpejtësi marrëdhëniet ekonomike dhe politike vitet e fundit. Kompanitë kineze që kanë marrë përsipër fabrikat kryesore të bakrit dhe çelikut të Serbisë, kanë ndërtuar rrugë, fabrika dhe linja hekurudhore. Bankat shtetërore kineze kanë dhënë miliarda dollarë kredi për vendin ballkanik për projektet e ndërtimit që zbatohen kryesisht nga punëtorë kinezë.

Kina e sheh Serbinë si pikë kryesore hyrëse në Evropë për iniciativën e saj ekonomike dhe politike “Belt&Road”. Për më tepër, ajo ka eksportuar drone dhe pajisje të tjera ushtarake në Serbi, si dhe ka rritur bashkëpunimin e policisë dhe sigurisë së shtetit.

Midis 2005 dhe 2019, Kina vlerësohet të ketë investuar rreth 10 miliardë dollarë në Serbi.

“Në sferën politike, ne nuk kemi asnjë çështje të hapur”, citohet nga AP presidenti serb, Aleksandar Vuçiç. “Ne kemi bashkëpunim shumë të mirë mes vendeve tona dhe duam ta çojmë atë në një nivel më të lartë nëse është e mundur. Miqësia jonë është e çeliktë”, tha Vuçiç, duke shtuar se bashkëpunimi ekonomik është trefishuar në pesë vitet e fundit.

Kina bleu fabrikën e vetme të çelikut të Serbisë në vitin 2016 dhe të dyja palët shpesh i kanë përshkruar marrëdhëniet e tyre si miqësi çeliku.

Por ndërkohë në Perëndim ka kritika në lidhje me qasjen kineze, ndërsa opozita në Serbi ngul këmbë se shumë nga marrëveshjet e ndërtimit midis Serbisë dhe Kinës janë bërë në mënyrë jotransparente, pa procedura tenderimi apo detaje rreth kostove.

Gjithashtu, ambientalistët kanë paralajmëruar se termocentralet me qymyr që operohen nga kompani kineze në Serbi nuk përmbushin standardet ndërkombëtare të emetimeve të serave, duke kontribuar më tej që Serbia të bëhet një nga shtetet më të ndotura në Evropë.

Edhe pse zyrtarisht kërkon anëtarësimin në BE, presidenti populist serb ka krijuar lidhje të ngushta politike, ekonomike dhe ushtarake me Kinën dhe Rusinë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.