Rusi/ Dasma e parë mbretërore që nga koha e revolucionit bolshevik (VIDEO)
Dasma e parë mbretërore që prej revolucionit bolshevik, që i dha fund monarkisë një shekull më parë, është mbajtur sot në Shën Petërsburg. Duka i Madh George Mikhailovich Romanov u martua me të fejuarën e tij italiane, Rebecca Virginia Bettarini, në Katedralen e Shën Isakut.
Romanov tha se e zgjodhi kryeqytetin perandorak për dasmën sepse ishte vendi i parë në Rusi ku familja u kthye pas rënies sovjetike.
"Është shumë, shumë afër familjes sonë", tha ai për Fontanka.ru, duke shtuar se Shën Petersburg është "historia e Rusisë" dhe "historia e familjes së Romanovëve".
Ceremonia luksoze u shoqërua me verë siciliane dhe ushqimin e siguruar nga manjati i hoteleve, Yevgeny Prigozhin, i cili njihet me nofkën "Kuzhinieri i Putinit".
Nusja italiane mbante një fustan të bardhë saten të stilistit Reem Acra, i cili ka veshur emra të mëdhenj si Beyoncé, Madonna, Angelina Jolie dhe Melania Trump, dhe një kurorë nga Chaumet, argjendaria zyrtare e Perandoreshës Joséphine dhe Napoléon.
Në ceremoni morën pjesë 1 500 të ftuar, 50 prej të cilëve anëtarë të familjeve mbretërore nga vendet evropiane përfshirë Belgjikën, Bullgarinë, Spanjën dhe Italinë.
George Romanov, 40 vjeç, është pasardhës i Nikollës II, i cili u ekzekutua nga bolshevikët së bashku me familjen e tij në korrik 1918 në qytetin e Yekaterinburgut.
Ai ka lindur në Madrid nga Dukesha e Madhe Maria Romanova dhe Princi Prusian Franz Ëilhelm i Hohenzollernit. Ai e kaloi pjesën më të madhe të jetës duke jetuar në Spanjë dhe Francë para se të vizitonte Rusinë për herë të parë në 1992.
Nëna e tij është mbesa e Dukës së Madh, Kirill Vladimirovich, kushërirë e parë e Nikollës II që iku nga Rusia gjatë revolucionit dhe e shpalli veten perandor nga mërgimi.
Ai ka punuar në Parlamentin Evropian dhe Komisionin Evropian dhe ka shërbyer si këshilltar i drejtorit të gjigantit rus të mineraleve, Norilsk Nickel. Sot, ai punon në projekte bamirësie.
Romanov është njohur me Bettarinin në Bruksel gjatë kohës kur punonte në Parlamentin Evropian. Vajzë e ambasadorit italian në Belgjikë, Bettarini ka punuar si shkrimtare dhe lobiste dhe tani punon si drejtoreshë e Fondacionit Perandorak Rus. Në traditën perandorake ruse, Bettarini u konvertua në besimin ortodoks rus vitin e kaluar dhe mori emrin Victoria Romanovna.
Add new comment