Pfizer nis testimin e një ilaçi oral kundër Covid-19
Një ilaç i ri antiviral që do të trajtojë SATS-CoV-2 është në fazën e parë të testeve klinike. Pfizer njoftoi se ilaçi që merret në rrugë orale ka treguar potencial në trajtimin e pacientëve me COVID-19, si dhe koronaviruset e tjerë, raporton Reuters.
Ilaçi i ri lëshon frenues që lidhen me virusin dhe parandalojnë replikimin e tij. E njëjta formulë përdoret për të trajtuar HIV dhe virusin e hepatitit C.
Nëse miratohet për përdorim, ky ilaç i ri mund të rekomandohet nga mjekët dhe të merret sapo shfaqen shenjat e para të infeksionit, edhe nëse pacienti me COVID-19 nuk është në spital ose në kujdes intensiv.
Ndërkohë, edhe ilaçe të tjera të ngjashme janë duke u zhvilluar.
Testimi i fazës së dytë të pilulës eksperimentale COVID-19 të quajtur Molnupiravir, nga Merck dhe Ridgeback Biotherapeutics rezultoi premtues në zvogëlimin e virusit tek pacientët. Ilaçi në fjalë do të funksionojë si trajtim pesë-ditor në shtëpi, i ngjashëm me Tamiflu, për të ndaluar riprodhimin e virusit para se të shkaktojë dëme të mëdha.
Ndërsa kompanitë farmaceutike po punojnë për ilaçet orale, janë në dispozicion disa trajtime intravenoze.
Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave ka miratuar plotësisht Remdesivir, një agjent antiviral, për trajtimin e COVID-19. Ilaçi rekomandohet për pacientët në spital që kërkojnë oksigjen shtesë. Agjencia amerikane e ilaçeve ka dhënë autorizim për përdorim urgjent për nëntë trajtime të tjera kundër COVID-19.
Add new comment