Merkel nuk e zgjidhi dot lëmshin ballkanik
Një vizitë e presidentit malazez Milo Gjukanoviç në Kroaci dhe takimi i tij me homologun kroat, Zoran Milanoviç është interpretuar në Serbi si shenjë e rritjes së antiserbizmit në rajon. Media B92, citon diplomatin serb, Zoran Milivojeviç sipas të cilit deklarimet e dy presidentëve lidhen me pozitën e tyre të dobët brenda vendeve respektive.
Duhet të mbajmë parasysh se të dy janë të dobët në vendet e tyre dhe se ka një problem bashkëjetese sin ë Kroaci ashtu edhe në Malin e Zi. duhet të theksohet se qeveritë e këtyre vendeve nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në këtë, në Mal të Zi për arsye të njohura, për shkak të pikëpamjeve të qeverisë së tanishme dhe z. Gjukanoviç janë në kundërshti, ndërkohë që në Kroaci ka po ashtu një problem bashkëjetese mes presidentit Milanoviç dhe kryeministrit Plenkoviç
citohet Milivojeviç.
Sipas tij të dy presidentët po luajnë për vete, për të kërkuar mbështetje në vendet përkatëse. I gjithë ky interepretim lidhet me qëndrimin e dyshes në fjalë për ngjarjet e fundit në Cetinje me rastin e inaugurimit të peshkopit të ri të Kishës Ortodokse Serbe në Malin e Zi. Presidenti kroat cilësoi se ngjarjet në fjalë përshpejtuan vizitën e presidentit malazez, ndërkohë që partia e Gjuknoaviçit kishte kërkuar krijimin e një qeverie tranzitore, pasi pu konfirmua humbja e partisë së Gjukanoviç nga i preferuari i Kishës serbe, kryeministri Zdravko Krivokapiç. Duke lexuar te lëvizja e presidentit malazez një nevojë imediate politike për të stabilizuar situatën në Mal të Zi, diplomati serb lë të kuptohet kështu se konflikti mes Podgoricës dhe Beogradit, aktualisht në distancë dhe që implikon edhe ngjarje të fundit kriminale për të cilat presidenti serb e kërkoi origjinën në Kotorr, po zhvendoset në dyert e BE-së.
Në këtë kuadër duhen parë me interes dy zhvillime: së pari është deklarimi i presidentit kroat, Milanoviç gjatë takimit me Gjukanoviç se:
Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e veriut duhen trajtuar në mënyrë preferenciale nga BE në procesin e integrimit
Qëllimisht është lënë jashtë Serbia që përbën siç dihet një rival gjeopolitik për Kroacinë në rajon. Në këtë kuadër vjen në vështrim momenti i dytë, simbolik, ndoshta rastësor dhe krejtësisht administrativ, por që nuk mund të injorohet. Dhe ky është refuzimi nga autoritetet shqiptare i hyrjes në Shqipëri të kryeministrit malazez, Zdravko Krivokapiç, që po udhëtonte drejt Tiranës për të takuar kancelaren Angela Merkel. Arsyetimi që u dha ishte mungesa e një testi anti-CoVid, por është e qartë se një bllokim i tillë ka qenë në fakt një lëvizje politike për të ruajtur Gjukanoviçin me profilin e njeriut të Europës në Malin e Zi.
Si ta shpjegosh këtë preferencë të kryeministrit shqiptar? Me arsye politike, ekonomike, apo të dyja bashkë? Është diçka që meriton ndoshta edhe hetim të plotë, për sa kohë që z. Rama shfaqet si heqimi ballkanik i armiqësisë tradicionale serbo-shqiptare, si njeriu që shëtit me Vuçiçin në Shkup e që e quan atë si “miku Aleksandër”.
Pa dashur Shqipëria ndodhet në mesin e disa zhvillimeve që janë të reja për nga forca e manifestimit, por që kanë në bazë rivalitete dhe ndasi të vjetra. Ajo merr aty pjesë për shkak të zgjedhjeve të një njeriu që sheh sot sesi nisma e Open Balkan që rithemelon një miqësi me Beogradin, sfidohet jo vetëm nga ambiguiteti i BE-së për të, por edhe nga oferta kroate për trajtim preferencial nga BE-ja. Ofertë që na sugjeron se një derë e BE-së mund të hapet më shpejt sesa manovrat ballkanike në të cilat ne nuk kuptojmë se çfarë po fitojmë, pa harruar se ky pështjellim ka nxjerrë në sipërfaqe edhe një lloj fërkimi të dëmshëm që mund të çoje në rreshtime oponente afatmesme me Kosovën. I cili ka origjinë personale.
Zoti Rama thotë se i ka miq të gjithë, Milanoviçin e Zagrebit, Gjukanoviçin e Podgoricës, Vuçiçin e Beogradit, Zaevin e Shkupit. Por në kushtet e tanishme Shqipëria nuk mund t’i ketë miq të gjithë vendet që kanë rivalitet, e shumta mund të përfitojë. Ajo nuk po bën as njërën, as tjetrën, po shërben si arenë e shfaqjes së një njeriu. Në fund të fundit zgjedhjes nuk mund t’i shpëtosh dhe sado që Merkel zgjodhi Beogradin dhe Tiranën për të dhënë lamtumirë nga Ballkani, ajo e bëri këtë ndër të tjera me mesazhin se problemi ballkanik i Europës qëndron pikërisht këtu.
Add new comment