Ishujt Faroe, 1400 delfinë të vrarë brenda një dite
Një numër rekord delfinësh janë kapur dhe përdorur për ushqim në Ishujt Faroe, gjë që ka çuar në reagimin e aktivistëve të të drejtave të kafshëve. Rreth 1400 delfinë u vranë brenda ditës në fiordin më të madh në territorin e Atlantikut të Veriut të dielën. Ajo që ndodhi në ujërat e cekëta të plazhit Skalabotnur në Eysturoy u cilësua masakër nga shoqatat vendase, raporton BBC.
I njohur si grind (ose Grindadrap në gjuhën vendase), gjuetia e gjitarëve të detit - kryesisht balenave - është një traditë e praktikuar për qindra vjet në Ishujt e largët Faroe. Qeveria vendase thotë se rreth 600 balena kapen mesatarisht çdo vit. Numri i delfinëve që kapen në vit është më i vogël, 35 në 2020 dhe 10 në 2019.
Ata që e mbrojnë gjuetinë e balenave thonë se është një mënyrë e qëndrueshme për të mbledhur ushqim nga natyra dhe një pjesë e rëndësishme e identitetit kulturor vendas.
Megjithatë, gjuetia e së dielës kaloi çdo cak dhe grupet ndërkombëtare të ruajtjes e dënuan masakrën mbi delfinët.
Bjarni Mikkelsen, një biolog detar nga Ishujt Faroe, thotë se ky është numri më i madh i delfinëve të vrarë ndonjëherë në një ditë në Ishujt Faroe, një territor autonom i Danimarkës.
Rekordi i mëparshëm ishte 1 200 në 1940. Të tjera rekorde kanë qenë 900 në 1879, 856 në 1873 dhe 854 në 1938.
Add new comment