Ati i Shenjtë citon gabimisht Putinin
Papa Françesku ka kritikuar përfshirjen e fundit të perëndimit në Afganistan, duke cituar presidentin rus, pa qenë i vetëdijshëm për një gjë të tillë. Gjatë një interviste për radion spanjolle COPE, papës iu kërkua të jepte një mendim për hartën e ndryshuar politike të Afganistanit pas tërheqjes së SHBA dhe aleatëve të saj nga vendi, pas 20 vitesh luftë.
Papa tha se ishte prekur nga një fjali e kancelares gjermane, Angela Merkel, të cilën ai e përshkroi si "një nga figurat më të mëdha politike në botë".
Ai tha se do të përpiqej ta përkthente citimin në spanjisht: "Është e nevojshme t'i jepet fund politikës së papërgjegjshme të ndërhyrjes nga jashtë dhe ndërtimit të demokracisë në vendet e tjera, duke injoruar traditat e popujve".
Por, referenca e papës ishte e gabuar. Autore e kësaj deklarate nuk është kancelarja Merkel, por presidenti rus, Vladimir Putin, i cili muajin e kaluar kërkoi që vendet e tjera të ndalonin ndërhyrjen në Afganistan. Deklarata e Putin u bë gjatë vizitës së fundit të kancelares Merkel në Moskë.
Gjatë vizitës, e cila shënoi fundin e një prej marrëdhënieve më komplekse dhe të trazuara politikisht në Evropë, Putin i bëri thirrje perëndimit të "ndalojë politikën e papërgjegjshme të imponimit të vlerave të huaja nga jashtë", dhe i cilësoi përpjekjet për të mbështetur qeverinë e mëparshme afgane si një përpjekje për të "ndërtuar demokracinë në vendet e tjera sipas modeleve të huaja".
Në intervistën e transmetuar të mërkurën pasi u regjistrua në Vatikan në fund të javës së kaluar, Françesku tha se dukej se "të gjitha mundësitë nuk ishin marrë parasysh" ndërsa aleatët perëndimorë u larguan nga Afganistani.
"Unë nuk e di nëse do të ketë ndonjë rishikim [të asaj që ndodhi], por sigurisht që ka pasur shumë mashtrime ndoshta nga ana e autoriteteve të reja [të Afganistanit]," tha ai. "Hile apo naivitet, këtë nuk mund të them me saktësi".
Radioja spanjolle, e cila është në pronësi të konferencës së peshkopëve katolikë të Spanjës, tha para intervistës se papës i ishte dhënë mundësia të verifikonte përmbajtjen para se të transmetohej.
Add new comment