Radev: Nuk jemi roja që ju pengon te dera, çelësin e keni vetë në dorë
Një përmbledhje e batutave të përdorura herë pas here lidhur me ngërçin e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor mund të cilësohet fjalimi i kryeministrit Rama në Forumin e Bledit në Slloveni. Kreu i qeverisë foli për pritjen e gjatë për “martesën” me BE-në dhe ripërsëriti krahasimin me pritjen për Godonë në dramën e Samuel Beketit, për të përfunduar me kërkesën drejtuar presidentit bullgar, për t’u bërë më pak europianë e më shumë ballkanikë sa i takon dakordësisë për hapjen e negociatave.
“Ju bullgarët, mos jeni kaq tipikë të BE, bëhuni ballkanas. Hapni rrugën, hapini rrugën bisedimeve. Pastaj mund të bëheni ballkanikë. Hapni rrugën”, tha Rama.
Presidenti bullgar, Rumen Radev, zgjodhi të përgjigjet në mënyrë më pak alegorike, duke i kujtuar Ramës se çelësin për hapjen e negociatave më shumë se kushdo tjetër, e kanë në dorë vetë vendet pretendente.
”Duke folur për procesin e anëtarësimit, duhet të ndajmë diçka mes përgjegjësive të BE dhe përgjegjësive tona dypalëshe ballkanike. Bullgaria nuk është roja që nuk ju lë te reja, por partneri juaj. Ka dy rrugë, rruga më e gjatë është të bëhet turne në të gjitha kryeqytetet europiane për të bindur partnerët e aleatët për të bindur Bullgarinë. Ka dhe një rrugë tjetër, shumë e shkurtër e fitimtare. Ne jemi të hapur, jemi gati, ju ftojmë në dialog. Po çelësi është në dorën tuaj, varet prej jush, meritat tuaja. Themeli në vetvete mbështetet në vlerat europiane dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Besoj do të vazhdojmë dialogun”, tha Radev.
Në qershor të këtij viti, ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian nuk gjetën dakordësinë për të caktuar një datë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shkak u bë vetoja që Bullgaria ka vendosur për Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që nuk është pranuar që dy vendet ballkanike të ndahen nga njëra-tjetra në rrugën drejt hapjes së negociatave.
Add new comment