Një pallavër gjeostrategjike: Nuk ka të ardhme të Europës pa Ballkanin Perëndimor!!!

Postuar në 01 Shtator, 2021 20:32

Nuk ka të ardhme të Europës pa Ballkanin Perëndimor. Nëse BE do të vazhdojë kështu nuk do të jetë mirë për ne, por nuk do të jetë as për BE. Ju përmendët etërit themelues. Nëse ata do të çoheshin dhe të ndiqnin këtë diskutim, do të ktheheshin përmbys në varr. Për çfarë po debatojmë? Si puna e atyre dy priftërinjve në Kostandinopojë, kur po shembeshin muret dhe ata diskutonin seksin e engjëjve. 

Kjo është e mira e të qenit europian nga Ballkani. Mos përmendni më aktorë dhe faktorë të tjerë. Nga njëra anë na thuhet se na doni, por nuk na thoni se ju duam dhe ne. Një ditë do martohemi, por deri atëherë nuk flasim dot bashkë, por as nuk do të flisni dot me të tjerë

Kjo është një pjesë nga fjala e z. Rama në forumin e Bledit në Slloveni. Ndërkohë që në Shqipëri vijnë këto qëndrime, mediat serbe p.sh citojnë presidenti Vuçiç të ketë folur për nismën “Ballkani i Hapur”. 

Nuk dihet se kujt i drejtohet z. Rama me këto që thotë, pasi z. Vuçiç p.sh i drejtohet edhe Europës, por edhe qytetarëve të vet, që jetojnë në një vend me narrativë origjinale ballkanike pa u shtirur si europianë të thekur.

Nuk ka europian të besojë atë që thotë z. Rama. Sepse kush ka bërë 3 faqe histori e di shumë mirë se Ballkani ka qenë përtej kufirit gjithnjë dhe se Europa madje e rithemeloi identitetin e vet, apo një lloj uniteti të paktën me turqit te portat e Ballkanit. Europa ka mbi 1500 vjet që jeton, krijohet e rilind pa Ballkanin i cili aderon në imgjinarin europian si nocion gjeografik apo destinacion turistik. 

Është mjerim i madh nëse z. Rama ka në mendje Shqipërinë pasi po luan nga ato hiletë e vockla të matrapazit shqiptar. Sepse shqiptarët europianë kanë ikur me kohë pse dikur u ndjenë të huaj me shqiptarët otomanë dhe këta të fundit – pra ne – jemi ata që bëmë historinë e re të këtij territori. 

Si vallë nuk ekziston BE-ja pa Ballkanin Perëndimor? Do të ishte qesharake në kulm nëse edhe Angela Merkel do pohonte ndonjë gjë të ngjashme në Tiranë më 14 shtator, jo vetëm pse do kreditonte me vizion Edi Ramën që ndjek diplomacinë e vërdallosjes, por sepse do të thoshte një të pavërtetë. 

Historia e do që edhe Bizanti dikur sikur nuk u lodh shumë për këtë territor aq sa është thënë se mbajti marrëdhënie të izopolitisë. Një koncesion sa për të mos çarë kokën me një hapësirë ku nuk dihet kush sundonte e për sa kohë. Njësoj ishin koncesionet që vinin nga Perëndimi për zotër të Arbërisë në kto anë që jepnin e merrnin si zevzekë të pa tru deri sa historia i fshiu. 

Njësoj edhe tani, perëndimi po hedh thërrimet e radhës për liderë me stof rajonal si ky Edi Rama, thjesht sa për të shtyrë edhe një kohë e për të mos harxhuar para për një zonë që nuk i hyn në punë askujt. Të pajtohemi me këtë realitet e të mos ushqejmë ëndrra të rreme se kemi rëndësi përcaktuese. Kemi rëndësi për veten tonë, ndaj të rregullojmë sa të mundemi këtë hale se ajo na ra për hise. Tjetërkujt nuk i bie ndërmend veçse sa për të lënë gjërat siç janë. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.