Për bektashianët, pa atdhe nuk ka fe
"Bektashianët kanë qenë atdhetarë nga më të shkëlqyerit në të gjitha kohët" shprehej Moikom Zeqo në simpoziumin me temë 'Bektashizmi dhe shqiptarizmi', Tetovë, 2002.
Bektashizmi si një sekt islam i ka rrënjët në shek XII-XIV me themelues Haxhi Bektash Veli (prej nga është emërtuar) në Anadoll dhe përhapjen në Europë (Hungari,Bullgari,Greqi, Maqedoni, Jugosllavi, Rumani etj.), e zhvilloi besniku i tij, kleriku Sari Salltik. Bektashianët ishin të parët besimtarë myslimanë që sollën islamin në Europë, përmes procesit të ndërtimit të teqeve e tyrbeve. Është e njohur në dokumente arkivore dhe literaturën bektashiane se bektashizmi kishte qendrën e përgatitjes së dervishëve në Kolegjin më të madh në Dimotekë të Bullgarisë, ku mësonin rreth 400 dervishë në vit. Kolegji kishte një nga bibliotekat më të pasura në botë. Bektashizmi mori fizionominë si një strukturë me individualitet të veçantë, duke u bërë pjesë e historisë dhe pasurisë shpirtërore kombëtare të çdo vendi në botë. Kjo vlerë indentifikohet me aftësinë e bektashizmit, për t’ju përshtatur kohëve, vendeve, qytetërimeve dhe problemeve të ndryshme me urtësinë dhe tolerancën në bashkëjetesën me të gjitha besimet e tjera.
Fillimisht, Kryegjyshata Bektashiane ishte e vendosur në Turqi por M.K.Ataturk pati konflikt me komunitetin klerik bektashi. Qeveria e Mbretit Zog duke respektuar vullnetin e klerikëve bektashinj me dekret të veçantë e emëroi në mars të vitit 1930, Sali Niazi Dedenë, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve dhe në gusht të këtij viti caktoi qendrën e Kryegjyshatës Botërore në teqenë e Melçanit të Korçës dhe një vit më pas me vendimin nr. 659, dt. 02.08.1930 vendosi e Selinë e Shenjtë Botërore në Tiranë.
Ndër shekuj, komuniteti bektashian u zgjerua me figura të larta historike e letrare sepse gjenin në bektashizëm frymën atdhetare të pavarësisë.
Si shembull, Ali Pashë Tepelena, kishte përkrahje të madhe nga bektashianët. Mit'hat Frashëri shkruan: “Shqipëria e Ali Pashës dhe Bektashizma, duke patur një armik të përbashkët, bënë një aleancë të përjetshme midis tyre".
Ndihmesë të jashtëzakonshme, bektashianët kanë dhënë edhe tek vëllezërit Frashëri, Abdyli, Naimi dhe Samiu në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Bashkëpunimi me bektashianët kudo që ndodheshin, ndikoi fuqishëm në përhapjen e ideve autonomiste, në përhapjen e gjuhës e të librit shqip.
Naim Frashëri la trashëgim për historine e bektashizmit poemën epike “Qerbelaja”, “Fletore e bektashinjët” etj.
Edhe engjëlli edhe djalli
Janë gjithë tek i gjalli
Kush njohi vethen e tija
E di ç’është Perëndia.
Naimi konceptin mbi mëkatin për mosbesimin nuk e sheh te dënimi i njeriut pas vdekjes, i cili për këtë duhet të vuajë në ferr e kjo vuajtje do të jetë e përhershme në botën tjetër. Këtu edhe qëndron rëndësia e filozofisë bektashiane që nuk do të ishte e pranueshme për ndonjë tjetër sekt të besimit islam. Ky njeri i Naimit dhe i konceptit të tij që bazohet në bektashizëm s’ka pse të brengoset aq shumë për fatin e vet në botën tjetër. Ai e ka me vete parajsën ose ferrin, në brendinë e shpirtit të tij, të shpirtit që ende nuk është shkëputur nga trupi, ai e ka me vete engjëllin ose djallin, që do të thotë ai e njeh vetveten, e nëse atë e njeh mirë, e di ç’është edhe perëndia.
Elementi bektashian shtrihet edhe në vepra të tjera të Naimit sepse botëkuptimi i tij mëton gjithmonë më përparimtaren, duke e dënuar çdo gjë që nuk i siguron njeriut, e në këtë rast shqiptarit, perspektivë e lumturi në këtë botë se me tjetrën as që dëshiron të merret.
"Fletorja e bektashinjët” ishte libër si të gjithë librat e shenjtëruar: mistikë e besim, poezi dhe mësime. Këtë u dha Naim Frashëri shqiptarëve më 1896, botuar në Bukuresht. Ja si thotë në librin e tij: “Bektashinjtë duan si shpirtin e tyre edhe myslimanët e tjerë dhe të krishterët, shkojnë mirë e bukur me të gjithë njerëzinë.” Naimi si një poet panteist e shikonte malin e Tomorrit si një fortesë hyjnore e shpirtërore të shqiptarëve. Prandaj në vargjet 'Abas Ali zu Tomorrë, erdh afër nesh,Shqipëria s'mbet e gjorë, se Zoti e desh' ai i bën himn thirrjes për lirinë e maleve dhe tokave shqiptare prej pushtuesit.
Krahas shumë e shumë figurave të tjera që trajtuan në letra bektashizmin ishte edhe Musine Kokalari. Në temën e mbrojtjes së diplomës së saj, Romë 1941, temë studimore mbi poetin kombëtar Naim Frashëri, Musineja i kushton një vend të rëndësishëm dy problemeve:
- problemit të doktrinës bektashiane,
- çështjes së ndikimit të kësaj doktrine tek Naimi.
Kapitulli i I, pjesa II, e këtij punimi mban titullin “Storia e dottrina dei bectashi”. Musine Kokalari në fund të punimit: “Për nga këndvështrimi social, bektashizmi mbron barazinë mes burrit dhe gruas, kundër dogmave të vjetra të besimeve të tjera. Nga këndvështrimi politik bektashizmi është shprehur për një nacionalizëm të zjarrtë që vë mbi çdo gjë idenë identitetin kombëtar".
Gjithashtu, një mjeshtër i penës si Faik Konica pohon: "Bektashianët iu bënë krahë Abdyl Frashërit në përpjekje të tij për ta bërë Shqipërinë. Më 1877, pas traktatit të Shën Stefanit, vëllai i madh i Naimit, Abdyli, thirri në Frashër krerët e bektashizmit shqiptar për të mbrojtur idenë kombëtare”.
Pas Naim Frashërit, i cili konsiderohet një profet bektashi, edhe Konica ka shkruar për bektashianët. Shkrimi i parë i takon vitit 1897 dhe titullohet “Shënim mbi metafizikën e bektashinjve”. Ky tekst i trajtuar në formë të lirë eseje është shkruar në frëngjisht dhe është botuar për herë të parë në Bruksel, te revista "Albania". Artikulli tjetër ku Faik Konica flet për bektashizmin është një portret që ai i bën Naim Frashërit në rreth dy faqe. Artikulli titullohet “Naim H. Frashëri” dhe është shkruar më 1901, një vit pas vdekjes së poetit. Punimi i tretë, më i zgjeruari, më i ploti dhe më i rëndësishmi i Konicës mbi këtë temë është “Parashkresë mbi lëvizjen kombëtare shqiptare”.
Edhe ky punim i Faik Konicës është shkruar në gjuhën frënge dhe është i ndarë në pesë pjesë, sipas fazave historike që ndoqi kjo lëvizje dhe që merr përsipër të shtjellojë autori. Siç dhe e shpall që në titull, Konica bën një paradë të ngjarjeve dhe fytyrave më të shquara të kohës që nga viti 1877 deri më 1899, sidomos në Shqipërinë e Jugut, në ngulimet shqiptare në botë dhe në kërkesat e tyre për t’u organizuar në shoqëri dhe për t’u shprehur në gazeta, revista e libra shqip. Dihet se në këto ngjarje një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe klerikët bektashianë si dhe besimtarë të grigjës së tyre.
Pra gjithë infrastruktura e bektashizmit në Shqipëri u vu në shërbim të çështjes kombëtare, të mësimit të gjuhës shqipe, të hapjes së shkollave shqipe, të organizimit të rezistencës politike, të ndërgjegjësimit të popullit shqiptar, për individualitetin dhe vlerat e tij historike e kombëtare. Kjo veprimtari e gjithanshme e rriti shumë autoritetin e bektashizmit në Shqipëri dhe u jepte shpirt ngjarjeve të mëdha në vendin tonë. Teqetë dhe baballarët u lidhën ngushtë me nacionalizmin shqiptar duke kontribuar në luftën për liri e pavarësi. Politikanët dhe njerëzit e penës e të dijes më të njohurit të asaj kohe janë të besimit bektashian. Midis tyre mund të permendim Ali Pashë Tepelenën, që krijoi kushtet për një lëvizje të frytshme kombëtare, Ismail Qemalin, që realizoi aspiratat e shqiptarëve për shtet të pavarur, Aqif Pashë Elbasanin, që hodhi urat drejt shtetit modern europian e shumë personalitete të tjerë. Edhe mbreti Zog vlen të theksohet se përqafoi bektashizmin shqiptar. Në një botim të kohëve të vona del se një e katërta e popullsisë shqiptare në vitet’ 30 ishte bektashiane. Mbas vitit 1912 bektashizmi në Shqipëri u vendos mbi baza më të qëndrueshme organizative, sidomos, pas Kongresit të Lushnjës të vitit 1920. Më 17 janar 1921, bektashianët shqiptarë organizuan në teqenë e Prishtës (Skrapar) kongresin e parë bektashian që zyrtarizoi gjuhën shqipe në tarikatin (udhën mistike) bektashiane. I dyti u mbajt më 9 korrik 1924, në Gjirokastër, dhe i treti, në shtator të vitit 1929, në teqenë e Turanit (Korçë).
Kongreset përveç frymës tolerante doktrinore, lidhjeve me hallet më të mëdha të kombit, miratuan Statutin e Komunitetit Bektashian, i cili do të rregullonte gjithë veprimtaritë, fetare, sociale, ekonomike, etj. Fryma e kongreseve ndikoi në forcimin dhe konsolidimin e komunitetit shqiptar bektashian, i cili i shërben edukimit shpirtëror, moral e mbi të gjitha atdhetar të besimtarëve. Fryma humane, toleranca dhe atdhetarizmi i dhanë frymëmarrje të re mendimit, filozofisë bektashiane dhe gjithë doktrinës së saj.
Klerët bektashian kanë luajtur një rol vendimtar e të drejtpërdrejtë në mbjelljen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe. Ata shkruanin libra shqip, zhvillonin mësime fetare në shqip dhe kishin korrespondenca me letrarët më të zëshëm shqiptarë të kohës. Baba Fetahu i teqesë së Backës hapi shkollë shqipe, në Skrapar, para Lidhjes së Prizrenit.
Baba Xhaferi, i teqesë së Prishtës, hapi në vitin 1908 shkollën e parë shqipe në Skrapar, me 34 nxënës nga fshatrat përreth.Në vitin 1910 ai organizoi mitingjet në Skrapar dhe Përmet, me moton: "Rroftë ABC-ja". Klerikët bektashianë iu bashkuan rilindjes kombëtare dhe përbënin valën e përhapjes së gjuhës shqipe.Në vitin 1920, klerët bektashian137 u përpoqën dhe bashkuan popullin në favor të Kongresit Kombëtar që u mbajt atë vit në Lushnjë, kongres në të cilin populli shqiptar e tregoi që ishte një komb i gjallë për të parën herë pas kongresit të Vlorës, që ishte mbajtur në 1912, kur ishte shpallur pavarësia e Shqipërisë.
Komuniteti Bektashian Shqiptar e lidhi fortë bektashizmin me shqiptarizmin dhe pa cenuar karakterin universal botëror të bektashizmit, ka dhënë kontribute të rëndësishme gjatë Luftës së Dytë Botërore. Deviza e tij “Pa atdhe nuk ka fe” ka udhëhequr e frymëzuar kurdoherë besimtarët bektashianë. Është fakt i njohur që shumë dijetarë në kohë të ndryshme, shkruajnë në veprat e tyre për bektashizmin. Ndër ta më të përmendurit janë: çifti Hasluck, Han, Jokl, Durham, Bartl, Çelebiu, Trix, Birge, Babinger, Norris, Popoviç, De Jong, Cleyer, Elsie, Mororo dela Roka etj.
Add new comment