“Polonia nuk ka pse të rrijë në BE me çdo kusht”
Ndarja mes Polonisë dhe Bashkimit Europian sa vjen e thellohet. “Nuk kemi pse të mbetemi anëtarë të Unionit me çdo kusht”, tha ministri i Drejtësisë në një intervistë të botuar të premten në të përditshmen “Rzeczpospolita”.
Mosmarrëveshjet mes Polonisë dhe BE-së vijojnë prej muajsh dhe kanë në qendër reformat në sistemin gjyqësor që po ndërmerr vendi. Data 16 gusht shënon afatin që i është lënë Polonisë për të zbatuar një vendim të gjykatës së lartë të BE-së, në të kundërt do të përballet me gjobë.
"Unë jam kundërshtar i fortë i nënshtrimit ndaj shantazhit ilegal të Bashkimit Evropian, të kryer nga Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian (CJEU)," është shprehur ministri i Drejtësisë, Zbigniew Ziobro.
"Besimi se BE është xhaxhai i mirë që na jep para, dhe se ne duhet t'i pranojmë të gjitha kërkesat e saj me çdo kusht, është propagandë dhe e rreme”, tha ai.
Ziobro është arkitekti i reformës në gjyqësor, e cila sipas BE-së po minon pavarësinë e gjykatave në vendin më të madh anëtar në Europën Lindore.
Komisioni Evropian i ka kërkuar Polonisë të zbatojë një vendim të CJEU, sipas të cilës dhoma disiplinore për gjyqtarët është e politizuar dhe duhet të shpërbëhet.
Të enjten, kreu i Gjykatës Supreme të Polonisë e ngriu pjesërisht dhomën. Vetë koalicioni qeverisës është në dilemë në lidhje me ultimatumin e Brukselit.
Sondazhet tregojnë se shumica dërrmuese e polakëve favorizojnë anëtarësimin në BE. Sidoqoftë, një sondazh i kryer së fundmi për Rzeczpospolita tregoi se 17% e polakëve favorizuan largimin nga blloku, një rritje në sondazhet e mëparshme.
Add new comment