Lëvizja 5 Yjet bën kthesë, drejtimin e merr Giuseppe Conte
Nga parti anti-establishment, Lëvizja 5 Yjet kthehet në parti konvencionale. Ish-kryeministri Giuseppe Conte ka marrë përsipër rimodelimin e partisë së themeluar nga Beppe Grillo, pasi u mbështet nga shumica dërrmese e saj.
Pa ndonjë lidhje me Lëvizjen 5 Yjet, Conte ka drejtuar dy qeveri koalicioni, deri në janar të këtij viti, kur u zëvendësua nga Mario Draghi.
Ka qenë vetë Grillo ai që i ka kërkuar Contes të rimodelojë partinë, një propozim që Conte fillimisht e ka hedhur poshtë, por më pas të dy arritën një marrëveshje në korrik.
Lëvizja u parapri nga një konsultim dy-ditor në internet me anëtarësinë, 87 për qind e të cilëve votuan në favor të statutit të propozuar nga Conte, 61 000 nga 113 000 anëtarë me të drejtë vote.
Që nga ardhja në pushtet në 2018, Lëvizja 5 Yjet ka mbajtur një strukturë organizative të gjerë dhe të lirë, gjë që i ka bërë përgjegjësitë vendimmarrëse të paqarta. Grillo ia besoi drejtimin e partisë Luigi di Maios, i cili që nga viti 2019 e ka braktisur këtë funksion, gjë që ka çuar në një periudhë trazirash dhe përçarjesh të brendshme.
Në zgjedhjet e vitit 2018, lëvizja e majtë populiste fitoi më shumë se 33 për qind të votave, më shumë se çdo parti tjetër. Por gjatë bashkëqeverisjes me ekstremin e djathtë të Matteo Salvinit, e më pas me Partinë Demokratike të qendrës së majtë dhe së fundmi në një koalicion të gjerë nën Draghin, mbështetja e Lëvizjes 5 Yjet është tkurrur. Sondazhet e fundit e rendisin atë të katërtën, me rreth 15 për qind të votave.
Statuti i ri parashikon një hierarki partiake më tradicionale, ku udhëheqësit i jepet kontroll i plotë mbi vijën politike dhe aleancat.
Conte e quajti programin e tij një fillim të ri dhe tha se anëtarët do të kenë zë në demokracinë e drejtpërdrejtë që mbetet "një element themelues i komunitetit tonë".
Megjithatë, ky ndryshim nuk ka kaluar pa kritika nga themeluesit e hershëm të Lëvizjes 5 Yjet.
Të enjten dhe të premten, Conte do të përballet me një votim që pritet ta konfirmojë atë si drejtues të Lëvizjes 5 Yjet. Sfida e parë për lidershipin e tij do të jenë zgjedhjet lokale në tetor.
Add new comment