Talibanët: Do të ketë paqe vetëm me largimin e Ghanit  

Postuar në 23 Korrik, 2021 14:38

Talibanët e kushtëzojnë paqen në Afganistan me krijimin e një qeverie të re dhe largimin e presidentit Ashraf Ghani. Në një intervistë me Associated Press, zëdhënësi i Talibanëve, Suhail Shaheen, i cili është njëkohësisht anëtar i ekipit negociues të grupit, paraqiti qëndrimin e kryengritësve në lidhje me atë që do ta presë vendin në muajt e ardhshëm.

Shaheen tha se Talibanët do t’i ulin armët kur një qeveri e negociuar dhe e pranuar nga të gjitha palët në konflikt të instalohet në Kabul dhe qeveria e Ghanit të jetë larguar.

"Unë dua ta bëj të qartë se ne nuk besojmë në monopolin e pushtetit sepse çdo qeveri që (kërkoi) të monopolizonte pushtetin në Afganistan në të kaluarën, nuk rezultoi e suksesshme", tha Shaheen, duke përfshirë edhe vetë sundimin 5-vjeçar të Talibanëve në atë vlerësim. "Pra, ne nuk duam të përsërisim të njëjtën formulë."

Talibanët kanë vënë nën kontroll me shpejtësi territorin javët e fundit, kanë kapur pikat kufitare strategjike dhe po kërcënojnë disa prej kryeqendrave provinciale, ndërsa ushtarët e fundit të SHBA dhe NATO po largohen nga Afganistani.

Oficeri i lartë ushtarak amerikan, gjenerali Mark Milley, tha në një konferencë shtypi të Pentagonit se Talibanët kanë "vrull strategjik" dhe ai nuk përjashtoi një pushtim të plotë të Talibanëve.

Në pushtet rreth 20 vjet më parë, Talibanët zbatuan rregulla të ashpra të Islamit, që u mohonte vajzave arsimim dhe u ndalonte grave të punonin. Frika e rikthimit të tyre i ka bërë me mijëra afganë të aplikojnë për viza për t’u larguar. SHBA dhe NATO janë tërhequr në masën 95% dhe tërheqja e plotë pritet të përfundojë deri më 31 gusht.

 

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.