Në "syrin" e Huawei-t, shqetësim në Beograd për sistemin e monitorimit me kamera smart

Postuar në 10 Korrik, 2021 22:34

Që prej vitit 2019, qeveria serbe ka në zbatim e sipër një projekt për monitorimin e Beogradit me kamera. Këto të fundit janë siguruar nga gjiganti kinez i teknologjisë, Huawei, çka ka tërhequr vëmendjen e aktivistëve dhe institucioneve të Bashkimit Europian. Euronews ka bërë një vëzhgim për t’i dhënë përgjigje pyetjes që është ngritur shpesh në Perëndim lidhur me këtë mënyrë monitorimi.

Aktivistët e të drejtave digjitale thonë se në të gjithë Beogradin janë instaluar të paktën 1200 kamera. Autoritetet serbe e motivojnë përdorimin e tyre me nevojën për të kontrolluar trafikun dhe për të luftuar krimin, ndërsa shtojnë se programi i njohjes së fytyrës nuk është vënë ende në funksion.

Por aktivistët janë të shqetësuar. Ata thonë se përmes këtij projekti, qeveria serbe ka tashmë në dorë një platformë që mbikëqyr qytetarët.

"Këto kamera kanë aftësinë të njohin fytyrat, të njohin objekte, targa, në thelb çdo transaksion njerëzor që po ndodh rreth tyr”, thotë Andrej Petrovski, ekspert i sigurisë kibernetike dhe inxhinier IT. Sipas tij, i gjithë ky informacion mund të ruhet në një bazë të dhënash të menaxhuar nga Ministria e Brendshme dhe policia. Kjo potencialisht do të thotë se ata mund të analizojnë të dhënat, "dhe t'i referojnë ato me burime të tjera të të dhënave dhe informacione të tjera që mund të kenë".

Sipas Petrovskit, një element që provon se qeveria po përpiqet të përdorë mbikëqyrjen biometrike është fakti se është konsultuar me Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Për këtë, Ministria e Brendshme serbe dhe policia kanë përgatitur dy vlerësime të ndikimit në mbrojtjen e të dhënave, por të dyja janë hedhur poshtë nga Komisioneri.

I intervistuar nga Euronews, Komisioneri Milan Marinovic thotë se qeveria ka dhënë garanci se të dhënat nuk do të përpunohen. Por instalimin e kamerave smart, që bëjnë të mundur njohjen e fytyrës, ai e shpjegon me mungesën e transparencës nga ana e qeverisë. Megjithatë, ngul këmbë se softueri i njohjes së fytyrave nuk është ende në përdorim. Gjithashtu, Marinovic pranon se numri i qytetarëve që depozitojnë ankesa për këtë çështje pranë institucionit që ai drejton, sa vjen e rritet.

Kontrata me kinezët dhe shqetësimi i Brukselit

Pesë vjet më parë, ministri i Brendshëm serb firmosi me kompaninë Huawei një kontratë që synonte rritjen e sigurisë në rrugë. Kostoja totale nuk dihet as sot, ndërsa kritikët thonë se arrin në dhjetëra miliona euro. Ndërkohë, sipas tyre, gjatë karantinës së 2019-s, kamerat smart filluan të “mbinin” si kërpudhat.

Duke qenë se Serbia është kandidate për në BE, ky zhvillim ka shkaktuar shqetësim në Bruksel. Ana Pisonero, zëdhënëse e BE-së për çështjet e zgjerimit, rikujton se Unioni ka një rregullore të rreptë kur është fjala për përdorimin e të dhënave.

Pisonero shkruan se "si vend kandidat, Serbia është zotuar të harmonizojë legjislacionin e saj me acquis aktuale dhe të ardhshme të BE, duke përfshirë mbrojtjen e të dhënave personale. Serbia miratoi, për këtë qëllim në 2018, një ligj të ri për mbrojtjen e të dhënave personale".

BE po e mban nën vëzhgim këtë çështje dhe pas diskutimeve me Serbinë, kjo e fundit “ka ndaluar përpunimin e të dhënave biometrike personale derisa legjislacioni përkatës të ndryshohet dhe të përafrohet me ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale", shton Pisonero.

Edhe aktivistët e të drejtave të njeriut në vend kërkojnë më shumë qartësi. Nevena Ruzic, avokate në Fondacionin për Shoqërinë e Hapur, që mbështetet nga filantropi Xhorxh Soros, thotë se është i domosdoshëm një balancim mes nevojës për të luftuar krimin përmes teknologjisë dhe asaj për të ruajtur të pacenuara liritë dhe të drejtat e qytetarëve serbë.     

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Ne gjuhen gramatikore shkruhet "dixhitale " e jo digjitale, kosovarisht.

Submitted by Anonymous (not verified) on

Kosovarisht?! Gjuhe gramatikore?! Dukesh shume i fustruar. Se si shkruhet, eshte diskutim qe shkon pertej asaj qe mund te perpunoje nje njeri si ju i dhene pas "gjuhes gramatikore".

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.