Nëntë të akuzuar për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit
Nëntë zyrtarë të Ministrisë së Brendshme janë nën akuzë për abuzim me fondet publike. SPAK njoftoi sot se ka arrestuar tetë zyrtarë, ndërsa një tjetër është vendosur në “arrest shtëpie”, me dyshimin se janë të përfshirë në abuzime me tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit. Sipas organit të akuzës, fjala është për tenderin e zhvilluar më 11 maj të vitit të kaluar për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit me objekt “Blerja dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit,” për katër vjet, me fond limit 2,8 miliardë lekë pa TVSH.
Gjatë hetimit, sipas SPAK, “janë konstatuar shkelje të rregullave të prokurimit publik, bërë nga anëtarë të Njësisë së Prokurimit si Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleviz Hasani dhe anëtarët e komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Femneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me titullarin e Organit Qendror Blerës, dhe si pasojë kanë sjellë avantazhe dhe privilegje të padrejta në kualifikimin e operatorit fitues në këtë procedurë prokurimi”.
Opozita e ka denoncuar si abuzim tenderin e zhvilluar një vit më parë, kur Ministrinë e Brendshme e drejtonte Sandër Lleshaj. Pak javë pas shpalljes së fituesit, dy deputetët e opozitës së re, Myslim Murrizi dhe Halit Valteri e kallëzuan Lleshajn në SPAK, duke e akuzuar për 5 vepra penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë”; “Shpërdorimit të detyrës”; “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”; “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”; “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë”.
Në kallëzim, dy deputetët akuzonin Lleshajn se ka ngulur këmbë që në kundërshtim me ligjin të shpallej fituese firma “D&E” sh.p.k., e cila nuk plotësonte shumë kushte e dokumente të kërkuara dhe ndonëse ofronte rreth 5 miliardë lekë më tepër se operatori i klasifikuar si i pari. Edhe publikimi i emrit të kompanisë fituese është bërë në shkelje të ligjit, më shumë se një muaj pas mbajtjes së tenderit.
Add new comment