Minishengeni si tezë alternative gjeopolitike ndaj BE-së
Kryeministri Edi Rama raportohet të ketë përsëritur sot në Forumin e Prespës idenë e tij për Minishengenin Ballkanik, termi që përdoret tashmë për Shengenin rajonal. Me një qasje që është diçka më shumë sesa pragmatizëm, kryeministri shqiptar e ka riqarkulluar këtë tezë në një koniunkturë që nuk është shumë e përshtatshme në kritikën që artikulon për Bashkimin Europian, përderisa në dështimin e kësaj radhje për hapjen e negociatave, Shqipëria u penalizua për shkak të një vetoje bullgare për Maqedoninë e Veriut.
Të jem i sinqertë nuk e ndjej më, fare, jam tepër serioz. Nuk e them këtë sa për të thënë diçka, me të vërtetë më nuk e ndjej fare, nuk e pres atë që e ndieja kur filloi" tha kryeministri shqiptar. Nuk bëhet fjalë që Shqipëria e Maqedonia e Veriut të paketohen e futen në anije, por bëhet fjalë për ndërtimin tonë në vendet tona, shtetet tona që funksionojnë si çdo vend tjetër i BE. A do të jemi apo jo pjesë e BE kjo nuk varet prej nesh, nuk është në duart tona, s’jemi ata që vendosim.
Mund të bashkëpunojmë, të bëjmë presion që çështjet të jenë më të mira për përmirësimin e ekonomive tona, për krijimin e hapësirave për sipërmarrësit, të rinjtë tanë. Të izoluar dhe me shpinë drejt rajonit, jemi të vegjël, por të bashkuar jemi në masë të arsyeshme mjaftueshëm të mëdhenj. Ti falenderohemi Zotit që nga një anë Europa s’mund të na tregojë ç’të bëjmë në këtë rajon, ne mundemi përmes veprimeve tona t’ua lehtësojmë jetën gjithë njerëzve që jetojmë këtu. Pse duhet të presim të bëhemi anëtarë të BE që të bëjmë tregti pa barriera?
ka thënë ndër të tjera z. Rama.
Propozimi i z. Rama ngjan si një rrugëdalje logjike nga një situatë impasi që është krijuar në pamje të parë nga paaftësia e BE-së për të kuptuar nevojën e inkuadrimit të të gjithë Ballkanit Perëndimor në gjirin e vet. Dhe kjo paaftësi është reale. P.sh këmbëngulja që vendet të anëtarësohen pasi të kenë zgjidhur problemet ndërkufitare të veta është e tejkaluar, për sa kohë që anëtarësimi sugjerohet si mundësi për asimilim standardesh demokratike që janë dhe mundet të arrihen vetëm në mënyrë evolutive. Në këtë kuadër dy vende anëtare e kanë më të madhe mundësinë e një arbitrimi demokratik të mosmarrëveshjeve, sesa dy vende me status të ndryshëm që vihen përballë njëri-tjetrit në pozita të pabarabarta dhe përdorin levën e vetos si instrument shantazhi.
Mirëpo refuzimi për zgjerim i BE-së, ndonëse absurd në planin gjeografik, sa kohë në Ballkanin Perëndimor nuk bëhet fjalë për zgjerim, por për përfshirje, është thënë se udhëhiqet nga një analizë e brendshme që sugjeron se pa reforma të thella struktura e BE-së rrezikon të implodojë. Ballkani nuk ka ndonjë detyrim të mirëkuptojë kursin historik të Europës që po prodhon faturë të madhe. Por ai ka detyrimin e patjetërsueshëm të mos cedojë në kursin europian, ashtu siç është artikuluar ai deri më tani, pasi në kohët që jetojmë, në kohë polarizimi dhe diferencimi të madh, tezat ad hoc priren të konstituojnë perceptime për qasje të reja gjeopolitike. Megjithë dëshpërimin e madh, edhe për disa kohë në Ballkan duhet që dështimi i Europës të mos shihet si i tillë.
Minishengeni është një e tillë, një ide gjeopolitike, po merr formë të këtillë, që ndonëse imiton diçka nga historia europiane, nuk ka ndonjë garanci se mund të ndjekë atë përvojë të shumëpërfolur franko-gjermane që u bë themeli i Europës së sotme. Kjo sepse asnjë vend në rajonin tonë, as Shqipëria e z. Rama, nuk beson te demokracia, nuk i përkushtohet asaj dhe as ka kapacitete ta mbajë arkitekturën demokratike pa idenë se në sfond qëndron Perëndimi. Kur z. Rama flet për lehtësimin e jetës së qytetarëve, ai në fakt po heq dorë me takt nga retorika europiane, nga monopoli i saj në Shqipëri për të kërkuar liri veprimi në një treg global politik dhe ekonomik, që herët apo vonë do të mbivendoset si prioritet ndaj kërkesës demokratike në vende si yni.
Të shohim rastin e Malit të Zi sesi po përpiqet të zgjidhë përmes BE-së problemin e borxhit me Kinën për një rrugë. Çka na thotë se në finale një krizë ideologjike në rajonin tonë, herët apo vonë do të ekspozohet si krizë në prag të Europës me të cilën Europa do të duhet të merret. Ajo që po na vjen sot si mesazh është një ide se z. Rama ka një patronazhim të fortë në Perëndim, nga i cili nuk merr dot maksimumin, ndërkohë që po deklaron se është gati së bashku me partnerë të tjerë të pranojë patronazhimin nga Turqia, një aktor me vetëpërkufizim gjeopolitik shumë dinamik këto kohë.
Sot z. Rama mundet të japë garanci se di ta luajë këtë lojë ekuilibri të provuar edhe më herët nga të tjerë, por përtej mandatit të tij, zhvendosjet gjeopolitike priren të kenë efekte në kohë dhe prodhojnë njësi ndikuese në një shoqëri duke ricikluar problemet e njohura për vende kufitare si Ballkani, që ka përherë dilemën dhe dualitetin identitar.
s.zaimi
Add new comment