Afganistani, fundi i ëndrrës për eksportimin e demokracisë

Postuar në 30 Qershor, 2021 14:24
Christoph Hasselbach

 

Misioni ushtarak në Afganistan, që tani merr fund, (30.06) ishte më shumë se luftë kundër terrorit. I tillë ai ishte vetëm në fillim. Shumë shpejt misioni synonte të sillte demokracinë, të drejtat e njeriut, arsimin e mirëqenien në vendin e shumëgoditur. Sidomos gjermanët, tradicionalisht kritikë ndaj misioneve ushtarake, kishin nevojë për këtë qëllim të "lartësuar" si justifikim për pjesëmarrjen e tyre. E sigurisht qëllimi është i nderuar.

Por ideja e eksportimit të demokracisë dështoi, jo vetëm në Afganistan, por në tërësi. Sot Afganistani, megjithë një qeveri të mbështetur nga perëndimi, me influencë gjithnjë e më shumë në zvogëlim, konsiderohet si një nga vendet më të korruptuara të botës. Dhe duket se shumë shpejt talibanët do të kthehen në pushtet, të paktën si pjesë e qeverisë së ardhshme, por me shumë gjasa me pushtet të plotë dhe me dhunë. Gati 20 vite "nation building" - formësim i një identiteti kombëtar nga disa vende të fuqishme të botës shkuan më kot.

Kina si kundërmodel

Afganistani nuk është modeli i vetëm. Presidenti amerikan, George W. Bush me ndërhyrjen ushtarake në vitin 2003, nuk donte vetëm të çlironte Irakun nga Sadam Huseini dhe t'i merrte armët e shkatërrimit në masë (që nuk ekzistonin), por të eksportonte në këtë vend vlerat perëndimore. Askush nuk mëton sot ta përmendë këtë, as me përafërsi. Edhe për Kinën mendohej se do të ndryshonte, jo përmes intervenimit, por përmes tregtisë. Pikërisht në Gjermani ekzistonte ky qëndrim, me forcimin e shkëmbimeve të demokratizohej ky vend në ekspansion dhe në fund të kthehej në një partner të preferueshëm në skenën ndërkombëtare.

Konkluzioni në fund është edhe më i hidhur: Jo vetëm që Kina është zhvilluar në drejtimin e kundërt dhe po paraqitet gjithnjë e më autoritare dhe agresive jashtë, por sistemi i këtij vendi po imitohet nëpër botë dhe kuptohet si kundërmodel i shoqërisë perëndimore.

Biden nuk dëshiron mision që kalon disa breza

Koha për të nxjerrë mësime. Në Afganistan u shtrua edhe pyetja, mos NATO duhej të mbronte për kohë të pakufizuar atë që ishte arritur në këtë vend. Amerikanët iu përgjigjen me "jo" kësaj pyetjeje, me pasojë edhe tërheqjen e trupave të tjera të huaja nga Afganistani. Jo vetëm presidenti, Donald Trump donte t'i jepte fund "luftës së përhershme", edhe pasardhësi i tij, Joe Biden tha në Kongres, se ky mision nuk ishte menduar kurrë si një "mision që do kalonte nëpër breza". Dy presidentë të ndryshëm në mënyrë pragmatike kanë bërë një gjë të qartë: Qëllimi ushtarak luftimi i terrorit është arritur, pjesa tjetër nuk na intereson më.

Të jepen impulse për mirëqeverisje

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas kërkon tani që përmes impulseve financiare të kërkohet mirëqeverisje, pavarësisht se kush qeveris. Ndihmat për zhvillim do të jepen në atë masë sa ka pasur edhe progres në drejtim të paqes, ruajtjes së demokracisë e ligjshmërisë, luftimit të korrupsionit dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Kërkesa të tilla sigurisht mund të shtrosh, por iluzione nuk mund të kesh. Sepse me vlerat perëndimore kishte vështirësi edhe një president krahasimisht modern si Ashraf Ghani.

Lidhja e ndihmës për zhvillim me mirëqeverisjen është një metodë që qeveria gjermane, po e përdor në botë. Pa dyshim është më mirë, se të derdhësh para në një vend, pa shtruar asnjë pyetje. Por më së voni me Afganistanin, perëndimit do i duhet të heqë dorë nga ideja naive, se mund të eksportojë sistemin e vet një për një me mjete ushtarake.

Burimi: Deutsche Welle

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.