Marrëveshja Kubë-BE dhe lojërat politike në prapaskenë
Bashkimi Europian është pranë një marrëveshjeje dialogu politik me Kubën. Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, e mbrojti para Parlamentit Evropian të martën ratifikimin dhe zbatimin e kësaj marrëveshjeje, pasi një email të cilit i referohen disa media sugjeroi afërsi midis disa ligjvënësve socialistë të BE-së dhe regjimit kuban.
“Qëndrimi zyrtar i BE-së është kundër bllokadës së Kubës nga SHBA-të. Nuk po e them këtë se jam nostalgjik i Kastros, por sepse është qëndrimi zyrtar i BE-së”, tha Borrell, një diplomat veteran spanjoll, në seancën e parë në Strasburg që prej më shumë se një viti.
Kuba hapi një faqe të re në historinë e saj kur Miguel Diaz-Canel mori detyrën e presidentit pas gati 60 vjet sundimi nga udhëheqësi revolucionar Fidel Kastro dhe më pas vëllai i tij, Raul.
Vitet e fundit, Havana dhe Brukseli kanë nisur dialogun, duke u përqendruar në pesë fusha kryesore.
Megjithatë, këto marrëdhënie u tensionuan vitet e fundit, për shkak të akuzave të shumta të BE-së për shkelje të të drejtave të njeriut në Kubë.
Marrëveshja në fjalë është ratifikuar nga të gjitha vendet anëtare, përveç Lituanisë.
Borrell e sheh këtë marrëveshje si mekanizëm të vazhdueshëm për dialogun për "forcimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë", si dhe përpilimin e kritereve për bashkëpunim.
“Ky instrument na lejon të shoqërojmë vendin në reformën politike, ekonomike dhe shoqërore", tha ai.
Ratifikimi i plotë i marrëveshjes varet nga vota e Lituanisë, pasi ajo tashmë ka marrë dritën jeshile nga parlamentet në pjesën tjetër të bllokut me 27 vende.
Emaili që mjegulloi dialogun
Një email i botuar nga e përditshmja spanjolle ABC, një gazetë që raporton gjithmonë mbi të internuarit e Kubës dhe Venezuelës në Spanjë, sugjeroi se mund të ketë një bashkëpunim të ngushtë midis deputetëve të Partisë Socialiste të Punëtorëve (PSOE, pjesë e S&D në Spanjë) në Parlamentin Evropian dhe Ambasadës Kubane.
Sipas gazetës, gjatë shkëmbimit të emaileve mes një këshilltari politik të S&D dhe zyrës së shefit të delegacionit socialist spanjoll në PE, eurodeputetit Javier Moreno Sánchez, zbulon qëllimin e tyre për të bllokuar debatin e kësaj jave në Parlamentin Evropian mbi të drejtat dhe situatën politike në Kubë.
Emaili gjithashtu lë të kuptohet se kabineti i Borrell-it, i lidhur me socialistët, ka pasur dijeni për diskutimin.
Një letër e hapur - e iniciuar nga eurodeputeti spanjoll José Ramón Bauzá (Ciudadanos, Rinovoj Evropën) dhe e nënshkruar nga ligjvënësit e Partisë Konservatore të Popullit Evropian (EPP) dhe liberalët e Evropës së Rinovuar - i kërkoi Borrell të sqaronte nëse kabineti i tij kishte dijeni mbi planin për të bllokuar debatin.
I kontaktuar nga EURACTIV, ekipi i Borrell nuk pranoi të komentojë mbi raportimet në media dhe tha se kryediplomati i BE kishte dhënë "një përgjigje shumë të qartë" në debatin plenar lidhur me qëndrimin e tij.
Për Euroactiv, një burim në BE e komentoi këtë si “një lojë politike të partisë”.
Add new comment