Dy fjalë për Selcën

Postuar në 05 Qershor, 2021 16:03

Nuk ka thuajse asnjë tekst të arkeologjisë shqiptare që të mos përmendë varret monumentale të Selcës. Varret në fjalë janë një lloj xhevahiri i qytetërimit ilir në territorin e Shqipërisë, sepse përfaqësojnë dëshmi arkitektonike dhe kështu janë bazë e mirë për të folur për organizimet shtetërore të fiseve enkeleje.

Varret gjenden në zonën e Mokrës, në fshatin Selcë, në një kodër piktoreske që dominon fushëpamjen nga të gjitha drejtimet dhe që sheh deri në Llëngë.

Në kontesktin e vet, varret janë një pasuri arkeologjike që bashkë me interesin që ka vetë zona e Mokrës, e paprekur nga ndërhyrjet brutale të arkibetonit modern shqiptar, konstituon një njësi më vete turistike dhe kulturore.

Rruga drejt Selcës të konfirmon për të disatën herë atë që shumëkush prej nesh e kupton mirë e që është fakti se ne nuk e njohim vendin tonë. Fshat pas fshati, në një gjelbërim që duket aq i huaj për syrin e dikujt që niset nga Tirana, pyllëzim dhe hapësirë e mbjellë, lumë dhe kodra, rruga e ngushtë dhe pa asnjë tabelë udhëzuese shpalos një panoramë që duhet parë. Patjetër që po.

Kodra e varreve që i rri kundruall fshatit është e pemëzuar mirë por tabela për në monopatin që shpie aty është e shtrembëruar dhe shuar nga pasuria grafosinjalizuese që presupozohet se duhet të kishte, me një zell të çuditshëm dhe joproporcional me trafikun thuajse inekzistent në atë rrugë.

Megjithatë banorët thonë se turistë ka. Madje jo pak. Të huaj që vijnë me kamper dhe flenë në kodrën e varreve të Selcës, një monument shumë I veçantë dhe që është vendosur në një zonë shumë të bukur dhe me mundësi zhvillimi për turizmin.

Mirëpo rruga, që është arteria që do mbante në jetë këtë pasuri, është asgjë më shumë sesa një litar asfalti dhe çakëlli që penetron fshatrave pasi del nga rruga e pambarueshme Plloçës.

Një neglizhencë dhe injorim që kontrastohet nga ndërtimet private, të rralla, por të kujdesshme, që nuk e kanë prekur relievin e një zone për të cilën pak flitet, pak dihet dhe që mbetet për fat të keq një qoshe e harruar nga vëmendja mediatike.

Por edhe shtetërore, përderisa edhe gërmimet arkeologjike kanë ndalur prej dekadash. Pa hyrë në hollësi profesionale, një vëmendje meriton edhe mënyra sesi është vepruar me varret dhe seksionet e tyre; llaç i ri, gëlqere dhe njolla të suvasë së re mbi gurë mijëravjeçarë. Manikota të një pakujdesie, në mos papërgjegjshmërie të plotë. Në fshat banorët thonë se në vitin 2017 nisi një ndërhyrje dhe u braktis. Arsyet është e kotë të kërkohen. Ato janë të njëjtat me ato që shohim anembanë vendit. Interesa, fonde, rotacion politik.

Këtu nuk është fjala për kritikë për hir të kritikës, pasi gjërat ndoshta duan edhe kohën e tyre. Por për Selcën për të cilën shkruhet me romanticizëm si provë e qytetërimit “tonë”, do të duhej që këto mburrje nacional-akademike të shndërroheshin së paku në investime dhe mundësi zhvillimi, sepse me të vërtetë që rajoni ka shumë vlerë përtej një siti arkeologjik që edhe kështu është shumë pak i mediatizuar.

s.zaimi

Comments

Submitted by g.o.n.e. (not verified) on

Faleminderit për informacionin, Selca u fut në listën personale të vendeve "Për t'u vizituar në Shqipëri". Foto e tretë duket se ka kapur një moment auto-stop-i: gjyshja aty me djalin për dore anës rrugës duke shpresuar për ndonjë makinë që t'i çojë diku; ai djali sikur ka ngritur dorën për shoferin "A na merr në makinë?". Apo ndoshta thjesht përshëndetje?

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.