Po vijnë reaktorët bërthamorë të gjeneratës së re
Reaktori i parë me natrium do të ndërtohet në Uajomnig, në vendin ku më parë gjendej një fabrikë qymyri. Projekti do të zbatohet nga kompania e avancuar e reaktorëve bërthamorë në pronësi të miliarderit Bill Gates, TerraPower LLC dhe PacifiCorp, në pronësi të Berkshire Hathaway të Warren Buffet. Reaktorët e vegjël të përparuar, të cilët funksionojnë me lëndë djegëse tjetër nga ajo e reaktorëve tradicionalë, konsiderohen nga disa si një teknologji pa karbon, që mund të plotësojnë burime të energjisë si era dhe dielli, ndërsa shtetet përpiqen të ulin emetimet që shkaktojnë ndryshimin e klimës.
Mark Gordon, guvernatori i shtetit të Uajomingut, i cili mban vendin e parë për prodhimin e qymyrit, thotë se kjo është mënyra më e mirë për të ulur emetimet e karbonit. "Fuqia bërthamore është qartësisht një pjesë e strategjisë time për energjinë", thotë për Reuters.
Projekti ka në qendër një reaktor 345 megavat që ftohet me natrium, me depozitim energjie të bazuar në kripë të shkrirë që mund të rrisë prodhimin e energjisë së sistemit në 500 MW në kohën kur kërkesa për energji është maksimale. Impiantet pritet të kenë një kosto rreth 1 miliard dollarë. Në fund të vitit të kaluar, Departamenti amerikan i Energjisë e mbështeti kompaninë TerraPower me një fond fillestar prej 80 milionë dollarësh, për të demonstruar teknologjinë me natrium dhe fonde shtesë do të jepen në vitet e ardhshme, kjo në varësi të dritës jeshile që hap Kongresi.
Chris Levesque, presidenti dhe CEO i TerraPower, tha se duhen shtatë vjet për të ndërtuar impiantin e parë.
"Ne kemi nevojë për këtë lloj energjie të pastër në rrjet në vitet 2030," u tha ai gazetarëve.
Megjithatë, ekspertët e energjisë bërthamore kanë paralajmëruar që reaktorët e përparuar mund të kenë rreziqe më të larta se ato konvencionale. Lënda që shërben për të gjeneruar energjinë do të duhet të pasurohet me një shpejtësi shumë më të lartë se lënda konvencionale, që do të thotë se zinxhiri i furnizimit mund të bëhet shënjetsër e grupeve që përpiqen të krijojnë armë bërthamore.
Add new comment