Macron tërhiqet edhe një herë
Në Mali ka ndodhur një grusht shteti që është i dyti brenda vitit. Sipas raportimeve mediatike të ndryshme, radikalët islamikë, kanë burgosur presidentin e përkohshëm të vendit, Bah Ndaw dhe kryeministrin Moctar Ouane, të cilëve u janë hequr edhe të drejtat ekzekutive. Grushti i shtetit është denoncuar nga Bashkimi Europian, që në fakt e ka denoncimin si natyrë të dytë, ndërkohë që Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore ka pezulluar Malin nga institucionet e veta pasi kërkoi konsultime me liderin e Juntës, kolonelin Assimi Goita.
Mirëpo përtej këtij zhvillimi me rëndësi, lajmi që çudit vjen nga i njëjti protagonist lajmesh me strategji: presidenti francez, Emmanuel Macron. Agjencitë e lajmeve citojnë Macron të jetë shprehur se nëse radikalizmi islamik merr pushtetin në Mali, trupat franceze do të tërhiqen nga vendi.
Radikalizmi islamik në Mali me ushtarët tanë atje? Kurrë. Ka një përpjekje sot në Mali, por nëse ecën në atë drejtim, ne do të tërhiqemi
është shprehur Macron në një koment të bërë gjatë një vizite në Ruanda dhe Afrikën e Jugut.
Deklarimi është disi i çuditshëm pasi trupat franceze në Mali janë pjesë e Operacionit Barkhane, filluar në vitin 2014 dhe në kuadër të të cilit janë mobilizuar 5000 trupa nga Parisi zyrtar në pesë vende të rajonit të Sahelit. Operacioni vazhdon Operacioni Serval të vitit 2013 që nisi pikërisht në Mali për të kundërshtuar radikalët islamikë duke marrë prej tyre gjysmën veriore të vendit.
Sot po ndodh ajo që duket se u ndodhi amerikanëve në Afganistan – islamikët po marrin pushtetin dhe Perëndimi po tërhiqet. Me dallimin se nëse amerikanët luftuan dhe “dorëzimi” i tyre lidhet sa me situatën komplekse brenda SHBA, aq edhe realitetin në terren, pala franceze po lëshon pe sapo njoftohet se ka një ndryshim pushteti.
Duhet njohur rajoni, patjetër, por qëndrime të tilla të Macron nuk janë të panjohura. Në Libi, Liban, Mesdheun Lindor dhe vetë në BE, presidentit francez i pëlqen të propozojë, po të paktën në këtë rast thjesht as përpiqet që të rivendosë situatën, duke bërë të qartë se trupat franceze aty nuk janë për situate kaq komplekse.
Sigurisht që ndërhyrja ushtarake është provuar se ka kosto dhe të panjohura, por pyetja që sot shtrohet është se çfarë bëjnë trupat franceze në Sahel? Realisht dhe më ironikja si trupa jashtë suazës së BE-së, meqenëse siç duket kanë dështuar në përmbushjen e objektivave të tyre? Merret me mend sesi tingëllon kjo zbythje kur kujton p.sh lajmet e para disa muajve që njoftonin mobilizimin e anijeve ushtarake franceze në Mesdhe me rastin e fërkimeve me Turqinë.
Add new comment