Nuk ka marrëveshje me BE, Zvicra “dorëzohet” pas 7 vitesh bisedime
Zvicra braktis në mënyrë përfundimtare shtatë vite negociata me Bashkimin Evropian, që supozohej se do të modernizonin marrëdhëniet e tyre bilaterale. Zvicra dhe BE-ja kanë punuar për një Marrëveshje Kornizë Institucionale, e cila të kishte në fokus hyrjen e Zvicrës në tregun e përbashkët europian, një ekuilibër që Brukseli zakonisht e quan "fushë e barabartë". Negociatat nisën në 2014 dhe një draft i plotë u arrit në nëntor 2018, kohë kur Berna dhe Brukseli nisën fazën e dytë: atë të rishikimit për sqarime dhe amendime.
Këshilli Federal Zviceran arriti sot në përfundimin se mes BE dhe Zvicrës mbeten "ndryshime thelbësore mbi aspektet kryesore të marrëveshjes", të tilla si mbrojtja e pagave dhe ndihma shtetërore, rrjedhimisht nuk plotësohen kushtet për arritjen e marrëveshjes.
Qeveria Zvicerane argumenton se përfshirja e një ligji të BE të vitit 2004 të quajtur Direktiva për të Drejtat e Qytetarëve (CRD), e cila u jep qytetarëve nga Zona Ekonomike Evropiane (një zonë që përfshin 27 vendet e BE-së, Islandën, Norvegjinë dhe Lihtenshtejnin) të drejtën e lëvizjes së lirë dhe qëndrimit, mund të sjellë "kosto më të larta të sigurimeve shoqërore" dhe "përbën një ndryshim të paradigmës në politikën e migracionit të Zvicrës".
Shmangia e Direktivës për të Drejtat e Qytetarëve, një kërkesë kjo e Zvicrës që nuk u pranua nga BE-ja, çoi në prishjen e bisedimeve.
BE nga ana e saj, siç raporton Euronews shpreh keqardhjen për dështimin e negociatave dhe shton se do të analizojë më kujdes impaktin që do të ketë vendimi i Zvicrës.
Një histori partneriteti
Sipas shifrave të vetë Komisionit Europian, Zvicra është partneri i katërt më i madh tregtar i BE-së pas Kinës, SHBA-ve dhe Britanisë. Ajo zë 6.9% të eksporteve të BE dhe 5.7% të importeve të saj.
Ndërkohë, blloku është partneri më i madh tregtar i Zvicrës deri tani. BE-ja përbën rreth 42% të eksporteve të Zvicrës në mallra dhe 50% të importeve të saj.
Marrëveshja e parë e tregtisë së lirë BE-Zvicër u nënshkrua në vitin 1972 dhe iu shtua një paketë tjetër marrëveshjesh dypalëshe në 1999. Këto mbulojnë çështje të shumta si lëvizja e lirë e njerëzve, prokurimi publik, bujqësia, kërkimi dhe aviacioni civil.
Add new comment