Turqia që sfidon Europën dhe ajo që i mban sytë nga Perëndimi
Në sferën ndërkombëtare, shpesh hasen dy lloje problemesh: ato që mund t’i përballësh dhe ato që nuk mundesh. Të parat zakonisht e mbajnë diplomacinë të zënë. Për shembull, shumë po punojnë intensivisht për të garantuar armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit. Askush nuk mendon të “zgjidhë” asgjë: është një konflikt që është i destinuar të zgjasë për kushedi sa vite apo dekada të ardhshme. Por problemi është "i menaxhueshëm" në kuptimin që ndoshta do të jetë e mundur të vendoset një “arnë” e përkohshme në të. Ekzistojnë edhe probleme të një natyre tjetër, të cilat janë plotësisht të vështira. Askush nuk di se si t’i zgjidhë. Në përgjithësi, ne përpiqemi t'i injorojmë, të pretendojmë se nuk ekzistojnë. Me shpresën se historia e ardhshme, në paparashikueshmërinë e saj, do t’i zgjidhë nyjet. Edhe përsa kohë bota perëndimore mund të pretendojë se Turqia - domethënë një anëtare e organizatës së saj kryesore ushtarake (NATO) - nuk do të jetë kthyer në armike? Si mund të jesh ushtarakisht aleat me armikun?
Le t’i përmbledhim, shkurtimisht, faktet. Turqia ka qenë pjesë e NATO-s që nga viti 1952. Për dekada me radhë ajo ka qenë një pjesë integrale e aleancës perëndimore. Në kolonë. Për pasojë, ka qenë edhe aleate e Izraelit. Ka pasur një marrëdhënie të ngushtë midis pozitës ndërkombëtare të Turqisë dhe regjimit të saj të brendshëm. Turqia moderne u themelua nga Mustafa Kemal Atatürk, i cili dëshironte që ajo të ishte laike dhe "Evropiane".
Një trashëgimi që ushtria, shtylla kurrizore e vërtetë e regjimit turk (edhe në fazat në të cilat demokracia parlamentare ishte në fuqi) e mbrojti dhe e mbajti gjallë. Sekularizmi në politikën e brendshme, prirja pro-perëndimore në politikën e jashtme. Më pas gjërat ndryshuan: Turqia Islame, e heshtur mori hak duke mposhtur ose goditur Turqinë Evropiane. Partia islamike e udhëhequr nga Rexhep Tajip Erdogan ka shpërbërë hap pas hapi trashëgiminë e Atatürkut, hodhi nokaut ushtrinë (dhe u dha asaj goditjen vendimtare pas grushtit të shtetit të dështuar të vitit 2016) dhe riislamizoi një pjesë të madhe të shoqërisë turke. Me riislamizimin, oksidentalizmi turk mori fund. Është e diskutueshme nëse Evropa ka apo jo ndonjë përgjegjësi: “breshëria” kundër kërkesës së Turqisë për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian sigurisht që kontribuoi në dobësimin dhe poshtërimin e turqve evropianë në të mirë të Turqisë Islamike. Por ndoshta ri-islamizimi ka shkaqe të shumëfishta dhe komplekse dhe nuk është thjesht përgjegjësi e Evropës.
Shenja e parë e ndryshimit në marrëdhëniet ndërkombëtare daton që nga 2003 kur, me partinë islamike tashmë në pushtet, Turqia, për herë të parë që nga lufta, iu kundërpërgjigj një kërkese nga Shtetet e Bashkuara dhe refuzoi të lejojë ushtrinë amerikane të përdorë bazat në Turqi për të goditur Irakun e Sadam Huseinit.
Por mbase viti në të cilin u bë më i dukshëm ndryshimi në raport me komunitetin ndërkombëtar si rezultat i ndryshimit të regjimit të brendshëm dhe ri-islamizimit të vazhdueshëm të shoqërisë turke ishte 2010-s: sulmi izraelit ndaj një anijeje turke që solli zyrtarisht ndihma humanitare për palestinezët (por, sipas izraelitëve, edhe armët) i sinjalizuan botës se po ndodhte një revolucion i aleancave. Marrëveshja disadekadëshe midis Izraelit dhe Turqisë mori fund. Dobësimi progresiv i aleancës turke me perëndimorët u kombinua (në mënyrë koherente) me një ndryshim në frontin turk edhe në Lindjen e Mesme. Aventura pro-perëndimore e kërkuar nga Atatürku kishte mbaruar dhe nisi ajo neo-osmane.
Sot Turqia luan në të gjitha tryezat e mundshme. Fakti që ajo është ende anëtare e NATO-s e lejon atë t’i mbajë “nën kontroll” perëndimorët. Ndërkohë, Ankaraja mban marrëdhënie të ngushta me Putinin (me të cilin ai është gjithashtu rival në garën për ndarjen e Libisë). Falë këtyre marrëdhënieve, Turqia mund t’ia lejojë vetes të sfidojë (deri tani me sukses) NATO-n, pjesë e së cilës është. Siç demonstroi kur theu solidaritetin e Atlantikut duke blerë raketa nga Rusia. Sponsor i madh, së bashku me Katarin, i Vëllazërisë Myslimane, Erdogan luan kundër Arabisë Saudite dhe Egjiptit duke synuar udhëheqjen e botës sunite. Kjo nuk e pengon të gjejë pika kontakti dhe konvergjence me Iranin Shiit. Si në këtë moment (por jo nga sot) në mbështetje të Hamasit.
Kushdo që mendon se në çdo rast, aksioni turk ka të bëjë vetëm me Lindjen e Mesme dhe nuk prek Evropën, gabon shumë. Së pari sepse ajo që ndodh atje, ka pasoja edhe këtu. Mbështetja turke për radikalizmin islamik në Lindjen e Mesme nuk mund të mos na shqetësojë. Për më tepër, nëse Mesdheu ndahet përgjithmonë midis turqve dhe rusëve, do të jenë duar të tjera, përveç atyre evropiane (dhe armiqësore me Evropën), që do të kenë kontroll mbi burimet jetësore të energjisë si dhe “rubinetet” që rregullojnë flukset migratore.
Por, përveç kësaj, veprimi turk dhe ambiciet e Erdogan, i kalojnë kufijtë e Lindjes së Mesme. Këtë e tregon rasti i tensioneve midis Turqisë dhe Greqisë mbi kontrollin e fushave të gazit në Mesdheun lindor. Kjo lloj ambicieje demonstrohet edhe në ndërhyrjen masive në zonën e Ballkanit, ku Turqia ndërthur investimet ekonomike dhe indoktrinimin fetar.
Dhe kjo nuk është e gjitha. Sillni ndërmend përplasjen e ashpër midis presidentit francez Emmanuel Macron dhe diktatorit Erdogan. Turqia, në fakt, po e provon sërish, këtë herë me mjete të tjera. Dy herë (me rrethimet e Vjenës në 1529 dhe 1683), Perandoria Osmane kërkoi rrugën për të pushtuar Evropën. Tani Turqia dëshiron të rrisë ndikimin e saj politik në Kontinentin e Vjetër duke financuar xhami që sponsorizojnë islamin më radikal, kjo me qëllimin për t’I kushtëzuar vendet evropiane nga brenda.
Ndonjëherë, siç është thënë tashmë, është historia, në paparashikueshmërinë e saj, ajo që zgjidh nyjet, të cilat njerëzit nuk dinë t’i zgjidhin. Ndoshta (kush e di?), Turqia Evropiane, sado e goditur rëndë dhe e dobësuar nga ajo aziatike-islamike, shpejt ose vonë do të ngrejë kokë. Megjithë "kurën" e Erdoganit, Turqia mbetet një shoqëri e ndarë, mes Evropës dhe Azisë. Nëse dy Turqitë përplasen sërish, kjo sigurisht që do të ketë pasoja edhe në politikën e jashtme të atij vendi. Ndoshta kjo do t’i zvogëlojë ambiciet e saj, ndoshta do ta bëjë atë më pak agresive si në Lindjen e Mesme ashtu edhe ndaj Evropës. Nëse nuk mund t’i nxjerrësh gështenjat nga zjarri, për ta bërë duhet të shpresosh te ajo që disa e quajnë Providencë dhe të tjerët Fat.
Comments
Mama mia i Turchi
Mama mia i Turchi
Add new comment