I jepet edhe një herë shansi dhe me aparat shpjegues

Postuar në 20 Maj, 2021 00:03

Vendimi i SHBA për të shpallur non grata ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjarët e tij ka prodhuar një kontekst të ri për një seri problemesh politike. Ka disa mesazhe që po shkojnë në drejtim të Lulzim Bashës, i cili befas u faktorizua si personi që mban çelësin e të ardhmes së PD-së. Bashës po i bëjnë thirrje që të ndajë mendjen që të zgjedhë mes Berishës dhe SHBA, duke presupozuar tanimë se në të vërtetë këtij zotërie i ofrohet një mundësi e rrallë: ai mund ta vrasë Babanë si metaforë e pushtetit, pa u lodhur, pasi nekrologjinë politike të tij e kanë shkruar të tjerë. Thjesht z. Basha i kërkohet të mbajë krah.

Kjo është një nga ato dhuratat e hidhura të cilat një njeri me karakter do ta kishte shumë të vështirë t’i pranonte. Z. Basha ndodhet edhe nën presionin e atyre që thonë se me deklarimin e SHBA-ve nis një erë e re post-Berisha në Shqipëri. Ndoshta ai po do ta besojë se në fakt një gjë e tillë ështe reale. Mirëpo kjo deus ex machina që po shohim, i jep një zgjidhje artificiale dhe nga jashtë situatës së brendshme në PD ku pritet të ketë një diskutim mbi pozitën e Bashës në atë parti. Ka disa zëra që po flisnin se Berisha ishte neutral në procesin ku kanë ambicie disa njerëz dhe se në një farë mënyre ai ka pranuar se Basha është një zgjedhje e dështuar.

Sot, zgjidhja që vjen nga SHBA ofron persepktivën e një nxjerrjeje jashtë loje të Berishës, hapjen eventuale të problemeve penale për të në funksion të çlirimit të PD-së nga detyrimi për ta mbrojtur dhe ricikluar. Është fatkeqe të shohësh sesi media dhe të ashtuquajturit gazetarë nuk debatojnë mbi këtë që po ndodh, por thjesht mbajnë krah, janë barinj të berihait teksa harrojnë të flasin sot për zgjedhjet në PD, për dështimin e saj elektoral dhe kërkojnë që Basha të marrë vendime të vështira.

Është ai teatër që përsëritet: një herë Lulzimi ka vila dhe është i përfshirë te rruga e kombit, një herë tjetër është djali që ka shansin ta bëjnë lider. Dhe të cilit ja harrojnë të gjitha. Cila histori, cili model dhe cili precedent e mbështet suksesin e këtij lloji të ri në politikë? Cila logjikë mund ta mbështesë idenë se kemi të bëjmë me një opozitë të re, të cilën po ndihmojnë ta çlirojnë nga prangat e Berishës, SHBA, media, socialistët e të tjerë?

Patjetër që mund të ketë shumë lojëra, interesa, të cilave me gjasë edhe këta që sot flasin si mentorë nuk ua dinë terezinë. E sigurt është se ne po përjetojmë e dëshmojmë një eksperimet politik, pasojat e të cilit nuk është e vështirë të merren me mend. Sot po mbillen liderët e së nesërmes që janë të zgjedhur. Por jo nga vota siç edhe po e shohim fare mirë. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.