Drejtësia e Re/ Ekspertiza më në fund e shqepi gojën: Lekët e O.S. ishin të ligjshme
Pas afro 4 vite hetimesh, Prokuroria e Elbasanit kërkon pushimin e dosjes për 800 mijë eurot e gjetura në makinën e O.S., një procedim penal i nisur që më 2017, fillimisht nga ish-Prokuoria e Krimeve të Rënda e më pas nga akuza e Elbasanit.
25-vjeçari u dënua nga Gjykata e Elbasanit me vendim të formës së prerë, me 240 orë punë të detyrueshme për “Kundërshtim të urdhrit të policisë”.
Nisur edhe nga ky vendim, prokurorja Erida Lamka Kokonozi kërkon që për dy veprat e tjera, atë të “fshehjes së të ardhurave” dhe “pastrimit të parave”, hetimet të pushohen.
E pyetur nga MCN për 800 mijë eurot e gjetura në makinën e 25 vjecarit dhe dy patentat e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri Prokuroria e Elbasanit thotë se ka regjistruar procedim penal me nr.895/1, por pa autor.
“I pandehuri O.S. tashmë është dënuar me vendim të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, vendim i cili ka marrë formën e prerë. Dënimi aktualisht është përfunduar. Hetimet kanë vazhduar më pas për procedimin penale nr.895/1 viti 2017, vetëm për subjekte juridikë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje, për veprat penale të parashikuara nga nenet 287 dhe 180/3, pa person nën hetim. Vepra penale e parashikuar nga neni 287 I Kodit Penal nuk ka qenë vepër për të cilën është dyshuar/as atribuar personi O.S., por ka qenë vepër që është hetuar pa autor”.
Pavarësisht kryerjes së ekspertimit kontabël të vlerave monetare të gjetura në makinën e 25-vjeçarit O.S., prokuroria thotë se ato kanë rezultuar të ligjshme, duke hequr të gjitha akuzat që rëndonin mbi djalin biznesmenit.
“Provat që janë mbledhur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë janë me natyrë sekrete. Si të tilla përmenden: deklarimet e shtetasve që kanë dijeni për ngjarjen, dy ekspertimet kontabël me grup ekspertësh, marrja e dokumentacionit nga sistemi bankar, etj. Origjina e vlerave monetare (euro), të gjetura brenda makinës së shtetasit O.S. ka rezultuar me burime të ligjshme nga kapitalet e firmave të shumta të familjes S., mbështetur kjo edhe në përfundim të akteve të ekspertimeve kontabël”.
Lidhur me kërkesën e prokurores Erida Kokonozi për pushimin e veprave të “ fshehjes së të ardhurave” dhe “pastrimit të parave” , drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi del kundër vendimarrjes së vartëses së saj.
“Në lidhje me mënyrën e zgjidhjes së çështjes, drejtuesi i Prokurorisë Elbasan ka pasur një qëndrim të ndryshëm nga prokurorja e çështjes, gjë që është reflektuar edhe në aktin përkatës”.
Edhe pse MCN këmbnguli për të kërkuar një kopje të akt-konstatimit të drejtuesit të Prokuorisë së Elbasanit, akuza tha se kopja është një akt i brendshëm që rregullon marrëdhëniet midis drejtuesit të prokurorisë dhe prokurorit të çështjes, dhe nuk është akt apo veprim që lidhet me hetimet.
Drejtuesi i prokurorisë e ka të pamundur të ndërhyjë në këtë çështje për shkak të ndryshimeve ligjore që janë bërë në 2016, të cilat u japin pavarësi të plotë prokurorëve që kanë dosje nën hetim.
Add new comment