Çështje zgjedhore, kryedemokrati Basha dhe ca urtësi hebraike

Postuar në 12 Maj, 2021 22:45
Ilir Sinanaj

 

Partia Demokratike ka ndërmarrë një operacion të gjerë politik për të provuar sipas saj “tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve dhe vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në Shqipëri”. Në media kemi parë sesi kjo forcë politike ka dozuar 10 dosje të mëdha në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në lidhje me këtë. E gjithë kjo ndërmarrje politike e Partisë Demokratike nisi dhe po vazhdon me seriozitet politik dhe institucional. Rrjedha e ngjarjeve mund të përmblidhet si më poshtë.

Kështu, në fjalimin paszgjedhor kryedemokrati Lulzim Basha përdori togfjalëshin “masakër elektorale” për të cilësuar zhvillime të procesit zgjedhor parlamentar të 25 prillit 2021. Më pas me 4 maj ai doli në një deklaratë për media ku bëri të ditur se do të “vazhdonte mbledhja dhe faktimi i manipulimit të masakrës zgjedhore të 25 prillit”. Si rrjedhojë zyrtarë të Partisë Demokratike u angazhuan në këtë proces të mbledhjes së provave dhe faktimit të manipulimit. Dhe me 9 maj u bë dorëzimi i materialit voluminoz në KQZ.

Duke u lënë në dorë punën profesionistëve dhe duke mos u konsumuar në dalje mediatike apo debate të kota, kryedemokrati Basha i jep rëndësinë maksimale ndërmarrjes politike për të faktuar “masakrën zgjedhore” (e cila po vazhdon). Gjithashtu, mënyra e struktuar e këtij procesi të ndërmarrë nga Partia Demokratike vë në trysni të gjitha institucionet ligjore përkatëse për të shqyrtuar në mënyrë sa më të drejtë çeshtjen me seriozitetin ligjor që i takon.   

Deri këtu gjithçka duket normale. Një forcë politike mund të vërë në pikëpyetje rezultatin zgjedhor dhe ka të drejtë ta ngrejë çështjen në institucionet përkatëse. Ajo që duket e çuditshme në këtë histori është reagimi i kryesocialistit Edi Rama, njëkohësisht edhe kryeministri i Shqipërisë, i cili me prononcimet e tij në media bën që t’u jepet një peshë serioze pretendimve të kryedemokratit Basha për një “masakër elektorale” edhe pa u marrë ende në shqyrtim të plotë faktet e mbladhura nga opozita.

Le të bëjmë një përmbledhje të situatës paszgjedhore sipas të dhënave të KQZ-së, duke u përqendruar tek Partia Socialiste. Në zgjedhjet parlamentare të 26 prillit 2021 morën pjesë vetëm 46.32% e zgjedhësve shqiptarë, duke bërë që pjesëmarrja (në %) të ishte në një minimum historik gjatë periudhës së demokracisë, si edhe më ulëta krahasuar me pjesëmarrjet (në %) në zgjedhjet e fundit parlamentare të vendeve të rajonit. Ndërkaq, 83024 e votave u shpallën të pavlefshme. Partia Socialiste mori 48,68% (më pak se gjysma) të votave të vlefshme që u përkthyen në 74 mandate deputetësh. E thënë ndryshe vetëm 21.41% (rreth 1/5) e zgjedhësve shqiptarë votuan Partinë Socialiste. 38,449 vota ishte differenca midis Partisë Socialiste dhe opozitës (Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim).

Pretendimi i kryesocialistit Rama për një fitore që i dha shumica dërrmuese (siç e cilësoi në fjalimin e tij paszgjedhor) bie disi ndesh me shifrat e KQZ-së. Ndërkohë, në fjalimin paszgjedhor kryedemokrati Basha akuzoi për blerje votash, deformim të vullnetit të zgjedhësve, përfshirje kriminelësh e bandash, shantazhim votuesisht etj.

Përballë akuzave të tilla, kryesocialisti Rama, i cili ndihet i bindur për fitore të pastër me mbështetje masive nga zgjedhësit shqiptarë, me arsye i binte ose të shpërfillte tërësisht kryedemokratin Basha dhe forcën që ai drejton ose ta ftonte atë që të denoncojë parregullsitë zgjedhore duke i dhënë mbështetje maksimale nga ana e tij.  

Por në fakt nuk nodhi as njëra e as tjetra. Ajo që ndodhi, ndër të tjera, ishte një intervistë në gazetën “La Reppublica” me 1 maj.

 “...Shumë njerëz nuk kuptuan se si të votonin, ata na zgjodhën ne si parti, por u dhanë përparësi kandidatëve të tjerë dhe vota iu quajt e pavlefshme...”, - tha kryesocialisti Rama për gazetën “La Reppublica”. Se për çfarë arsye duhej të jepte llogari një kryeministër në një media të huaj për një gjë kaq teknike si fletët e pavlefshme të votimeve në Shqipëri nuk merret vesh. Nga ana tjetër sa e turpshme është për zgjedhësit shqiptar, për shtetin shqiptar, si edhe për partinë që drejton vetë kryeministri Rama një deklaratë e tillë! Por ajo që vlen të theksohet është se nga i nxori ai shumicën e votave të pavlefshme si të taksura për Partinë Socialiste, ndërkohë që kryedemokrati Basha ngriti akuza për masakër elektorale? Dhe që këtu nisin dyshimet...

“...Fatkeqësisht, opozita nuk është në gjendje të dalë nga ky qëndrim, që e bën që ajo të humbë zgjedhje pas zgjedhjesh. Janë zgjedhjet e pesta radhazi dhe ata ende nuk arrijnë të kuptojnë: Në vend që të reflektojnë mbi veten e tyre, ata përqendrohen në konfrontim dhe akuza kundër nesh...”, - tha kryesocialisti Rama për gazetën “La Reppublica”. Lind pyetja se përse duhet një kryeministër të japë mend se çfarë duhet të bëjë një parti politike, që nuk është e tij, apo të komentojë për zgjedhjet e mëparshme? Dhe pse duhet ta bëjë këtë në një media të huaj? Nga ana tjetë pse duhet ai të merret dhe t’i kushtojë rëndësi një partie humbëse, sipas tij? A mos vallë kjo është një teknikë e kryesocialistit Rama për të vënë përfund kundërshtarin në lojën joshjes së opinionit publik? Ndërkaq, këto teknika nuk funskionojnë nëse akuzat ngrihen duke ndjekur një proces serioz institucional, si në rastin e Partisë Demokratike.

Me 10 maj kryesocialisti Rama zhvilloi një takim me deputetët e Partisë Socialiste (1 ditë pasi Partia Demokratike kishte dorëzuar dosjet në KQZ për.

 “...Një rrugë e re mundësish të barabarta dhe konkurrence në bazë të meritës duhet të hapet për çdo vajzë e çdo djalë, për çdo burrë dhe çdo grua që dëshirë dhe aftësi të kontribuojë si shërbëtor publik në administratën e këtij shteti. Partia Socialiste ka më pak se 100 mijë anëtarë, ka thuajse 800 mijë zgjedhës dhe Shqipëria ka mbi 2 milionë qytetarë që duhet ta gëzojnë po njësoj të drejtën për të shërbyer në këtë shtet sipas aftësisë dhe meritës dhe jo sipas lidhjeve të llojllojshme me deputetë, me ministra apo sipas tekave të drejtuesve dhe të përgjegjësve në zyrat e shtetit në territor... Dëshiroj shumë që të gjithë ju së bashku me mua të pedalojmë në të njëjtin drejtim, pa u lodhur dhe pa humbur durimin dhe që askush këtu me apo pa vetëdije të mos pengojë, por vetëm të kontribuojë me vullnet të mirë që administrata të çlirohet përfundimisht nga kthetrat e interesave politike dhe që fytyra jonë mos të njolloset në vazhdimësi, për shkak të atyre që përfitojnë nga këto kthetra interesash politike dhe s’bëjnë asgjë tjetër, përveçse shikojnë xhepin e tyre...”, - tha kryesocialisti Rama para deputetëve të tij. Seriozisht?! Po cila forcë politike ka qenë në pushtet e vetme këto dy vitet e fundit? Po a quhet zhvillim punësimi në administratë? Po në këtë deklaratë a mos vallë po kërkohet të “blihen” ata votues që në dy palë zgjedhje parlamentare i kanë munguar Partisë Socialiste për të kapur numrin e 800 mijë votuesve? Është në të mirën e vendit që përgjigja të jetë një “kurrsesi” e prerë.

“Dhe natyrisht nuk do ta presim Partinë Demokratike deri kur të rivendosë lidhjet me realitetin. Por do të jemi gati që të bashkëpunojmë me demokratët, kurdoqoftë dhe sidoqoftë që kjo të jetë e mundur. Pa u lodhur, pa e humbur as durimin dhe as toruan ne do ta mbajmë të shtrirë dorën e bashkëpunimit me opozitën... Akuzave të tyre do t’u përgjigjemi me rezulatet e punës. Sharjeve të tyre do t’u përgjigjemi me idetë tona, për t’i çuar punët përpara. Kritikave të tyre do t’u përgjigjemi me mendjen e hapur dhe gadishmërinë për dialog dhe bashkëveprim...”, - tha kryesocialisti Rama para deputetëve të tij. Duket sikur është ky ai që nuk po rivendos lidhjet me realitetin. Partia Demokratike kërkon të ndjekë nëpërmjet rrugës ligjore një rishim të rezulatit zgjedhor, pasi pretendon se ka pasur shkelje. Nuk ka sgjë jashtëtokësore këtu, për aq kohë sa është një proces që e lejon ligji. Nga ana tjetër duke qenë se kryeministri Rama predikon bashkëpunim, atëherë pse nuk e ndihmon Partinë Demokratike t’i shkojë këtij procesi deri në fund? Nëse kryeministri pretendon se zgjedhjet ishin të rregullta, atëherë ai nuk ka pse t’i druhet 10 dosjeve voluminoze të Partisë Demokratike, të cilat sipas saj sipas saj “tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve dhe vjedhjen më të madhe të zgjedhjeve në Shqipëri”

I mbyturi të mbyt

Le të bëjmë një përmbledhje. Partia Socialiste edhe pse mund të ketë fituar më shumë se gjysmën e mandateve të deputetëve, pjesëmarrja në zgjedhje nuk mund të cilësohet si masive dhe differenca e votave të marra nuk ishte shumë e madhe. Kjo fitore e Partisë Socialiste bëhet disi e hidhur kur marrim parasysh se edhe pse për 2 vite kjo forcë politike i zotëronte e vetme të gjitha pushtetet (si atë qëndror ashtu edhe ato vendore) përballë një opozite pothuajse inekzistente, prapëseprapë nuk arriti të merrte as gjysmën e votave të vlefshme (për më tepër as gjysma e zgjedhësve nuk morën pjesë). Në lidhje me këto mund të themi se Partia Socialiste si forcë politike ka arritur maksimumin e vet në përthithjen e njerëzve.

Nga ana tjetër Partia Socialiste do që të përdorë antagoniozmin me Partinë Demokratike për të fituar mbështetje popullore. Siç e pamë në shembujt e deklaratave të kryeministrit Rama, ka një prirje për ta paraqitur Partinë Demokratike si një humbëse që nuk do të bashkëpunojë dhe që nuk ka mbështetje popullore. Në vërtetë Partia Demokratike po tregon se ka programin e vet që është e pavarur nga Partia Socialiste, program ky që ndër të tjera përfshin ndërmarrjen politike të faktimit të “masakrës zgjedhore” (sipas Partisë Demokratike). Dhe vetëm duke ndjekur sesi shfaqen në media si Partia Socialiste ashtu edhe Partia Demokratike, prirja e njeriut të arsyeshëm dhe që mendon është që të anojë në favor të Partisë Demokratike. Ndërkohë, mbetemi në pritje se çfarë do të nxjerrin hetimet e fakteve të paraqitura nga Partia Demokratike.

Duhet të shtojmë këtu se Partia Demokratike, gjatë fushatës zgjedhore, nuk pati se çfarë t’u ofronto qytetarë përveçse kryesisht një fushatë qytetare dhe premtimin e një programi, që do të zbatonte po të vinte në pushtet. Sipas KQZ-së, Partinë Demokratike e votuan mbi 622 mijë zgjedhës (shifër që edhe mundet të ndryshojë në varësi të hetimeve). Dhe mund të thuhet se, hiq një numër të caktuar mbëtshtetësish, pjesa më e madhe e votueseve të Partisë Demokratike ishin qytetarë që e përkrahën vërtet këtë forcë politike me vullnetin e tyre të lirë. Pikërisht këtë mbështje qytetare (me mundësi shumëfishimi) të cilën ka Partia Demokratike po përpiqet ta zhbëjë Partia Socialiste, nëpërmjet taktikës së “shtrirjes së dorës”. Partia Socialiste nisur nga sa më lartë në këtë shkrim mund të themi se përfaqëson të gjthë mendësinë e politikbërjes së këtyre 30 viteve të fundit, ndërsa Partia Demokratike ka mundësinë të përfaqësojë diçka të re, të cilës i ka ardhur koha, që shkon përtej ndasive politke, që kërkon zhbllokimin e fuqive krijuese dhe prodhuese, që kërkon profesionist e njerëz të punës e sipërmarrëë ndershëm dhe me ide investimesh dhe bashkëpunimesh ndërkombëtare për prodhim. Kur Partia Socialiste, që pëfaqëson të vjetrën, duket se është në mbytje e sipër, atëherë pse u dashka që Partia Demokratike, që ka mundësinë të pëfaqësojë të renë, t’i japë dorën dhe të mbytet bashkë me të. Një fjalë e urtë popullore thotë: I mbyturi të mbyt!

Kryedemokrati Basha

Partia Demokratike tashmë gëzon një mbështetje popullore të rëndësishme pasi u arrit në kushte kur kundërshtari politik zotëronte i vetëm si pushtetin qëndror ashtu edhe pushtetet vendore. Për rrjedhojë, mbi 622 mijë votat për Partinë Demokratike janë vota të vulllnetit të lirë. Mënyra sesi veproi kjo forcë politike pas zgjedhjeve tregon një ndryshim të rëndësishëm të politikbërjes së saj. Në asnjë çast Partia Demokratike nuk ka rënë pre e një sjellje të dhunshme kundrejt kundërshtarit. Përkundrazi, kjo forcë politike ka zgjedhur të ketë programin e vet në lidhje me ndërmarrjet politke, pa u ndikuar nga pritshmëritë e të tjerëve. Kështu, duke angazhuar profesionistë të fushve të ndryshëm u mblodhën materialet për të faktuar atë që kryedemokrati Lulzim Basha e cilësoi një “masakër elektorale” në zgjedhjet e 26 prillit 2021. Me të përfunduar dorëzimi i dosjeve pranë KQZ-së, aksioni politik i Partisë Demokratike u shtri në takimet me qytetarët që nisi në Durrës me 11 maj, e me sa duket do të vazhdojë në të gjithë Shqipërinë. Aty kryedemokrati Basha shpalosi programin politike të partisë. Me sa u pa edhe më lartë vëmë se Partia Demokratike është duke punuar me ritme të vazhdueshme, duke përfshirë të gjithë strukturat e saj.

Një grupim brenda Partisë Demokratike duket se kërkon që kryedemokrati Basha, të japë dorëheqjen. Në fakt nuk ka arsye pse të ndodhë një gjë e tillë. E para, Partia Demokratike është në mesin e vrullshëm të një ndërmarrje politike që ka të bëjë me faktimin e “masakrës elektorale”, për të cilën mund të thuhet që janë angazhuar kapacitetet njerëzore më të rëndësishme të kësaj force politike. E dyta, në zgjedhjet e 26 prillit 2021, kryedemokrati Basha ishte kandidati që mori më shumë vota preferenciale se kushdo tjetër në Partinë Demokratike. Së treti, në të kundërt të Partisë  Socialiste, zgjedhjet për kryetar në Partinë Demokratike priten të zhvillohen (në korrik sipas raportimeve në media). Dhe së katërti, grupi që kërkon dorëheqjen e kryedemokratit Basha quhet “Grupi për PD-në (nuk morë as mundimin t’i zgjeronin më tej ato 2 shkronja), ndërkohë që nën udhëheqjen e kryedemokratit Bashës Partia Demokratike është drejt hapjes. Mëndësia e vjetër e “grupistëve” demokratë nuk e kuptojnë që kryedemokrati Basha është tashmë në anën e lëvizjes që ka potentencialin të jetë “Grupi për Shqiptarët”, përtej ndasive dhe interesave partike. Asaj që i ka ardhur koha e mund atë që është jashtëkohësuar.

Ndërkaq, zëmërimi më i madh kundër kryedemokratit Basha mund të vijë nga ai grupim qyterësh, profesionistësh e sipërmarrës apartiak që kërkon zhbllokimin e fuqive prodhuese dhe krijues, zëmërim ky që lidhet më shumë me faktin që kryedemokrati Basha ka mundësinë të japë më shumë në mënyrën sesi e drejton Partinë Demokratike. Ndërsa çdo grupim të vjetërish të sprovuar brenda Partisë Demokratike, që kërkojnë gjasme reformim, në të vërtet nuk e kuptojnë nisjen shndërrimin e kësaj force politike në një organizatë që kërkon një zgjerim me mbështetje qytetare sesa mbështetje partikësh me kontribut vetë të kaluarën.

Urtësi hebraike

Dhe së fundmi dy shprehje shumë interesante nga një traktat i lashtë i urtësisë hebraike i quajtur “Pirkei Avot”, të cilat nuk kanë nevojë për shpjegim por shpjegojnë më së miri gjendjen në Shqipëri.

[1:3] “Ki kujdes me pushtetin, pasi bëhet mik me dikë vetëm për nevojat e veta. Duket si mik vetëm kur i bëhet mirë, por në rast nevojë nuk i bëhet krah kujt”.

[2:2] Rabin Hanina, zëvendësi i kryepriftit thoshte: “Lutuni për mirëqënien e qeverisë se po të mos ishte për frikën që autoriteti i saj u ngjall njerëzve, ata do të hanin njëri-tjetrin të gjallë”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.