Turqia u ka akorduar shtetësinë 150 000 sirianëve

Turqia u ka dhënë shtetësinë 150 mijë qytetarëve sirianë që ndodhen si refugjatë lufte në vend. Shifra ka dalë gjatë diskutimit të një raporti zyrtar që trajton gjendjen e sirianëve në Turqi dhe ajo është marrë në diskutim me sens kritik nga opozita kryesore turke, Partia Popullore Republikane.
Një ndër zyrtarët e saj, profesori Fethi Açıkel, ka deklaruar se nuk ka transparencë mbi vendimet e marra në këtë drejtim, kriteret mbi të cilat janë përzgjedhur sirianët që kanë përfituar nënshtetësinë turke ndërkohë që sipas tij, politikat e partisë në pushtet, Drejtësi dhe Zhvillim, kanë sjellë kaos.
Në Turqi aktualisht strehohen 5 milionë sirianë, numri më I madh nga të gjitha vendet që janë prekur nga vala migratore siriane që pasoi luftën civile në vend.
Add new comment