Zbulohet Koloseu i Anadollit, i pari dhe i vetmi në Lindjen e Mesme
Një strukturë unike e ngjashme me Koloseun në Romë. Por në përmasa më të vogla. Për këtë arsye, arkeologët turq e kanë quajtur Koloseu i Anadollit. Në tribunat e tij mund të uleshin deri në 20 mijë spektatorë për të parë ndeshjet e gladiatorëve. Arena i përket epokës romake, rreth shekullit të III pas Krishtit dhe ajo çka mbetur prej saj gjendet në qytetin antic të Mastauras, në provincën Aydin. Është një kompleks monumental që për 1800 vjet ka mbetur i mbuluar nga dheu dhe bimësia.
Ajo që e bën të jashtëzakonshëm këtë zbulim është fakti se nuk ka një shembull të ngjashëm në Anadoll dhe përreth tij. “Nuk ka një amifteatër kaq origjinal në Anadoll, Lindjen e Mesme, Egjipt dhe Greqi”, thotë për italianen “Messagero” arkeologu turk, Sedat Akkurnaz.
Ai që dikur ka mbledhur spektatorë nga e gjithë Azia e Vogël është sot nëntokë, ndërsa pjesa e dukshme është e mbuluar nga bimësia e egër.
Krahasuar me Koloseun në Romë (50 mijë spektatorë), ai i Anadollit është më i vogël (15-20 mijë).
Arkeologët thon se përveç arenës, ai ka edhe zona të veçanta që shërbenin si ambiente ku përgatiteshin gladiatorët para se të dilnin para spektatorëve. Por pjesa më e madhe e tij nuk është gërmuar ende dhe priten të tjera surpriza.
Ministria turke e Kulturës i autorizoi gërmimet në këtë zonë në verën e vitit 2020. Arkeologët thonë se arena mund të jetë ndërtuar gjatë dinastisë së Severëve, që kanë drejtuar perandorinë nga viti 193-253 pas Krishtit.
Add new comment