Alarmi i WWF: Ekosistemi në rrezik, po zhduken insektet pjalmuese
Në 30 vitet e fundit kemi humbur mbi 70% të biomasës së insekteve fluturuese në Evropë. Në këtë grup hyjnë jo vetëm speciet më të rralla, por edhe specie të zakonshme, nga të cilat varet ekosistemi. Është fjala për insektet që bëjnë të mundur pllenimin. Për më tepër, 40% e bletëve të egra, fluturave dhe brumbujve rrezikojnë të zhduken globalisht.
Alarmi është ngritur nga World Wildlife Fund, i cili i drejton gishtin si përgjegjës aktivitetit njerëzor, që ka modifikuardhe ndotur habitatin e tyre. Në veçanti, për shkak të përdorimit të pamatur të pesticideve, konsumit të tokës, varfërimit të tokave bujqësore, ndotjes, ndryshimit të klimës dhe përhapjes së parazitëve. Dëmi është i madh, duke pasur parasysh që dy të tretat e frutave dhe perimeve që konsumojmë çdo ditë varen nga pllenimi, por ndikimi nuk ka të bëjë vetëm me erozionin e vlerës së ekosistemit në sistemet ushqimore, por edhe në shëndetin tonë. Përdorimi i pesticideve në bujqësi çliron substanca toksike, të qëndrueshme dhe bioakumuluese: sipas OBSH, 26 milion njerëz helmohen nga pesticidet çdo vit.
Krahas alarmit për humbjen e bletëve dhe pjalmuesve, WWF, me fushatën ReNature, ka nisur sfidën për të rigjeneruar këtë shtyllë të biodiversitetit. WWF kujton se një shtyllë thelbësore e strategjisë së re Evropiane 2030 për biodiversitetin përqendrohet pikërisht në restaurimin e natyrës në pjesë të konsiderueshme të territorit evropian përmes përdorimit të 25% të tokës bujqësore për kultura organike dhe përdorimit të 10% të tokës bujqësore për ruajtjen e biodiversitetit.
Add new comment