E zëmë se u manipuluan...Basha është provuar se deri ku e ka hapin
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2021/04/bandicam-2021-04-27-10-42-24-552_2021_04_28_03.jpg?itok=Wa93AWe-)
Lulzim Basha deklaroi dje se shumica në pushtet ka vjedhur votat në një shkallë industriale. Në fjalën e mbajtur para selisë së Partisë Demokratike z. Basha akuzoi për manipulim elektoral, por nuk foli për fitore. Ai ishte i rrethuar nga njerëzit e ngushtë që duket se kanë pranuar dhe rënë dakord që mosnjohja e zgjedhjeve është vendim politik unanim i këtij grupi.
Le të pranojmë se është deri diku e vërtetë. Pra se shumica ka bërë blerje votash dhe se me të vërtetë ka një problem serioz në këtë drejtim. Çfarë dallimi politik sjell një gjë e tillë?
Nëse shohim numrin e votave të PD-së, vihet re se ajo ka rritje të ndjeshme. Deri më tani, KQZ njofton se PD-ja ka marrë 619 519 vota. Në vitin 2013 kjo forcë mori 528 373 vota, kurse në vitin 2017, 456.481 vota. Siç e shohim PD-ja e Bashës ka ardhur në tendosjen maksimale për numër votash, çka e bën të vështirë të besosh se manipulimi në shkallë industriale siç thotë z. Basha të tolerojë një rritje me rreth 170 mijë vota të kundërshtarit.
Vetë PS-ja ka marrë 764 256 vota, ndërkohë që në vitin 2013 e njëjta parti mori 713 407 vota, kurse në vitin 2017, 764.791 vota.
Siç shihet PD-ja është një forcë që njeh rritje më të madhe të numrit të votave sesa PS-ja krahasuar me zgjedhjet e shkuara. Kjo paraqitje kërkon një shpjegim nga PD që pretendon manipulimin. Është pak jologjike që PS-ja të ketë blerë vota të vetat, edhe pse patjetër që vota ka blerë. Por kjo do të shihet më mirë te vota e kandidatëve.
Nga ana tjetër, argumenti politik vlen më shumë sesa ai aritemetik. Z. Basha mund të premtojë çdo gjë, por ai ka treguar se flet më shumë sesa mund të veprojë, sesa mund të mbajë. Ndaj përbetimet për ndryshim etj., janë boshe dhe pa kuptim në një kohë që për gjithkënd është e qartë se z. Basha nuk mund ta kapërcejë veten. Ai është provuar në 8 vite se çfarë është në gjendje të bëjë dhe nuk do shumë mend për të kuptuar se zotëria do të na ofrojë të njëjtën shfaqje si këto vjet, por tashmë me faturën thuajse të sigurtë në xhep, e që është humbja. Si ta mbështesësh atëherë atë?
Në finale ka edhe një pyetje tjetër: si ndodhi që fitorja e pritshme dhe e pompuar nga mesdita e 25 prillit e deri në mesditën e 26 prillit, u shndërrua në humbje me manipulim? Cilado qoftë përgjigja, ajo e vë në siklet jë parti që më tepër sesa ka shqetësim manipulimin, po fshihet pas gishtit.
Comments
shumica në pushtet ka vjedhur
shumica në pushtet ka vjedhur votat në një shkallë industriale.
Ore redaksia: what does that even mean?! sqarojeni per ne popullin .... qe dhe shqipen nuke di tamam. eshte nje industri e re kjo? apo e kemi pas dhe nuk e dinim qe e kishim me vehte.
Basha e tha. Me intuite mund
Basha e tha. Me intuite mund te themi qe fjala eshte per vjedhje ne shkalle te gjere, njesoj sikur manipulimi te kete tiparet funksionale dhe organizative te nje industrie.
Add new comment