Nishani: Basha, përgjegjës për 4 humbje radhazi. Nuk mund ta mbajë më peng PD-në
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2021/04/bujar_2021_04_27_21.jpg?itok=2e9VIgHI)
Bujar Nishani bëhet i dyti nga radhët e demokratëve që kërkon largimin e Lulzim Bashës nga kreu i PD-së. Pas Fatbardh Kadillit, i cili kërkoi sot kryesisë së PD-së të mblidhet sa më shpejt dhe të përcaktojë modalitetet e garës për lidershipin e ri, edhe vetë kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së kërkon që Partia Demokratike “të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjëson atë pak nga pak”.
Statusi i ish-presidentit Bujar Nishani:
Të dashur miq, rezultati i zgjedhjeve ishte zhgënjim dhe dëshpërim i madh për votuesit dhe mbështetësit e opozitës si dhe një mundësi e pashfrytëzuar për ndryshimin e shumëpritur.
Qeverisja e korruptuar e Edi Ramës do të vijojë të mbajë pushtetin përsëri, pas 8 viteve të skandaleve e dështimeve !
Sot është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjëson atë pak nga pak.
Sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për t’u ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë.
Sot përgjegjësi kryesor i 4 humbjeve politike radhazi vendosi ta mbajë peng Shtëpinë e Lirisë në interes të pushtetit të tij personal !
Z. Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh !
Sot Edi Rama mban peng Shqipërinë dhe Lulzim Basha tenton të mbajë peng Partinë Demokratike.
Partia Demokratike nuk është pronë personale e një njeriu.
Ajo është Shtëpia e Lirisë e qindra mijëra shqiptarëve.
Askush nuk do të mundet ta marrë atë peng për asnjë arsye, në asnjë formë e me asnjë çmim !
Add new comment