Ndryshimi i klimës/ Speciet e ekuatorit po emigrojnë drejt poleve

Postuar në 26 Prill, 2021 16:46

Ekosistemet me biodiversitetin më të madh në oqean zakonisht gjenden në ujërat tropikale përreth ekuatorit. Por ndërsa temperaturat rriten, organizmat ujorë parashikohet të largohen nga habitati i tyre gjithnjë e më shumë.

Ndryshimi i klimës dhe rritja e temperaturave tashmë po shkaktojnë një eksod masiv nga ekuatorit drejt zonave të tjera, sipas një ekipi studiuesish australianë nga Universitetet e Auckland, Queensland dhe Sunshine Coast. Në një artikull për australianen “The Conversation”, ata thonë se mund të jemi në pikun e zhdukjes masive të shkaktuar jo vetëm nga rritja e temperaturave të ujit përreth ekuatorit, por edhe nga prishja e ekosistemit që organizmat e larguara do të lënë pas.

"Kur ndodhi e njëjta gjë 252 milionë vjet më parë, 90 përqind e të gjitha specieve detare u shfarosën", shkruan shkencëtarët.

Në funksion të studimit, shkencëtarët kanë vëzhguar rreth 49 mijë specie të oqeanit, duke ndjekur drejtimin e tyre.

Në mënyrë tipike, shpërndarja e jetës oqeanike i ngjan një kurbe-zile, me vetëm disa specie afër polit të Veriut dhe Jugut dhe shumicën të përqendruar në ekuator.

Por me ndryshimin klimatik, kjo kurbë e rregullt po ndërron formë, sipas konkluzioneve të studimit të publikuar në revistën PNAS. Kurba e re i ka majat në të dyja anët, që përfaqësojnë numrin e madh të specieve që janë larguar nga ekuatori në drejtim të poleve.

Kjo kërcënon jo vetëm biodiversitetin dhe shëndetin ekologjik të planetit në përgjithësi, por edhe komunitetet e zonave që varen nga speciet detare për ushqim ose të ardhura - duke e bërë të menjëhershme ndërhyrjen për klimën.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.