Ndryshimi i klimës ka zhvendosur boshtin e Tokës
Ngrohja globale ka sjellë një pasojë që deri tani nuk dihej: zhvendosjen e boshtit përgjatë të cilit rrotullohet Toka. Studimet e kryera së fundmi tregojnë se ky proces ka nisur që nga vitet 1990 dhe është tregues i ndikimit të thellë që njerëzit kanë në planet.
Polet gjeografike të veriut dhe jugut të planetit janë pika ku boshti i tij i rrotullimit kryqëzon sipërfaqen, por ato nuk janë fikse. Ndryshimet në mënyrën e shpërndarjes së masës së Tokës rreth planetit bëjnë që boshti, dhe për këtë arsye edhe polet, të lëvizin.
Në të kaluarën, vetëm faktorët natyrorë të tillë si rrymat oqeanike dhe konveksioni i magmës në thellësi të tokës kanë ndikuar në pozicionin e shtrirjes së poleve. Por një studim i ri tregon se që nga vitet 1990, humbja e qindra miliarda tonëve akull në vit në oqeane si rezultat i krizës së klimës ka bërë që polet të lëvizin në drejtime të reja.
Shkencëtarët zbuluan se drejtimi i zhvendosjes polare ishte zhvendosur nga jugu në drejtim të lindjes në 1995 dhe se shpejtësia mesatare e zhvendosjes nga 1995 në 2020 ishte 17 herë më e madhe se nga 1981 në 1995.
Që nga viti 1980, pozicioni i poleve ka lëvizur në një distancë rreth 4 metër.
Shkaku kryesor për këtë sipas shkencëtarëve të udhëhequr nga Shanshan Deng, nga Instituti i Shkencave Gjeografike dhe Kërkimeve të Burimeve Natyrore në Akademia Kineze e Shkencave, është shkrirja e akullnajave.
Studimi është botuar në “Geophysical Research Letters”. Sipas tij, edhe pompimi i ujërave nëntokësore mund të ketë kontribuar në zhvendosjen e aksit.
Ujërat nëntokësorë depozitohen nën tokë, por, pasi pompohen për konsum ose për bujqësi, derdhen sërish në det, duke rishpërndarë peshën e tyre në të gjithë botën. Në 50 vitet e kaluara, njerëzimi ka hequr 18 tonë ujë nga rezervuarët e thellë nëntokësorë pa i zëvendësuar.
Vincent Humphrey, në Universitetin e Zyrihut, Zvicër, shpjegon impaktin që kjo mund të ketë në terma realë për banorët e Tokës.
Kjo tregon se sa i fortë është ky ndryshim në masë - është aq i madh sa mund të ndryshojë boshtin e Tokës. Sidoqoftë, lëvizja e boshtit të Tokës nuk është aq e madhe sa të ndikojë në jetën e përditshme. Mund të ndryshojë gjatësinë e një dite, por vetëm me milisekonda.
Disa shkencëtarë argumentojnë se shkalla e këtij ndikimi do të thotë që jemi duke hyrë në një epokë të re gjeologjike - Antropoceni. Që nga mesi i shekullit XX ka pasur një përshpejtim të dukshëm të lëshimit të dioksidit të karbonit në atmosferë dhe ngritjes së nivelit të detit, shkatërrimit të botës së egër dhe transformimit të tokës nga bujqësia, shpyllëzimi dhe zhvillimi.
Comments
Boshtet nuk levizin nga
Boshtet nuk levizin nga shperndarja e mases se tokes (me te vogel) rreth planetit, por kjo siperfaqe e tokes orientohet nga kjo levizje boshti imagjinar.
Add new comment