Logoreja e kryeministrit: Pas 25 prillit do ju bashkoj!
Do ketë dhe një Edi Rama tjetër pas 25 prillit. Do të jetë Rama që do punojë për të bashkuar, për të bashkuar forcat, njerëzit, pas 25 prillit do të jetë një njeri për të bashkuar sa më shumë. Boll me përçarje
Kështu ka thënë kryeministri Edi Rama sot në një intervistë në MCN TV. Nga e gjithë logoreja e fjalëve që z. Rama lëshoi në intervistën në fjalë, të ngulet në mendje kjo fjali që artikulon nën poza dhe pretendime moralo-patriotike një arrogancë e cila buron nga një delir dhe vetëbesim se ai ka një mision në këtë vend.
Po kush i përçau shqiptarët që do i bashkojë z. Rama? Sali Berisha, Ilir Meta, Lulzim Basha, media? Ai vallë qëndron aty si pishtar i një iluminizimi neoshqiptar të cilin do të duhen 3 e më shumë mandate për ta kuptuar? Çdo gjë është e mundur në fakt, sado absurde dhe irrituese të ngjajë një gjë e tillë. Nëse politikani ka një avantazh, ky është njohja e shoqërisë që drejton. Dhe ndoshta z. Rama ka kuptuar se mileti shqipfolës harron shpejt, zgërdhihet e jargavitet si pa të keq kur i afrohet ai që ka pushtetin dhe e quan për detyrim të tregojë etikë edhe ndaj atyre që janë hajnia me kostum e këtij vendi. Kështu ka qenë, e mesa duket kështu do të jetë.
Mjafton fare pak. Mjafton të ndryshosh gjuhën, sjelljen, të bësh për vete mediat idiote që rendin pas çdo deklarate dhe nis e zë vend një profil i ri. Përbashkues!!!
Do të harrohen këto 8 vjet përçmim dhe vjedhje, hashash dhe koncesione. Ndarje e Kosovës dhe shkëmbim territori. Jo. Do të ketë punë për bashkimin e të gjithëve në një vathë. Një bashkim që në të vërtetë në mungesë të ideve të mëdha, apo ideve qendrore, priret të jetë asgjë më shumë sesa tufëzimi zakonshëm i këtij mileti pas të parit që hyn në modën e të qenit me pushtet dhe 4-5 truke banale të skenës i përdor kaq lehtë për të hedhur hi syve mbi të gjithë dhe për të manipuluar edhe historinë.
Sepse një ndryshim real në 25 prill nuk mund të quhet i tillë pa një llogaridhënie reale për çdo gjë, që nga koncesionet, te vilat në bregdet, nga tenderat dhe luksi e deri te droga dhe trafiqet. Por ka vullnet për një gjë të tillë? Mesa duket jo. Përderisa një njeri si ky edhe pas 8 vjetësh zullumesh pas zullumesh guxon e të mburret se së shpejti do të na jetë Shën Pali i shqiptarisë që përhap lajmin e mirë.
Comments
Mustafa mediokri!
Duket qe s'ke kuptuar e as kupton o Muc! Nuk eshte ofendim! Mundoi t'i kuptosh gjerat reth teje para se t'i komentosh! Behet fjale qe Luli nuk i ka vjedhur parate e Rruges se Kombit dhe Rama kerkoj te ndaje perfundimisht Saliun te "vrare" nga Luli. Nje bashkepunim i tille do t'i jepte fund epokes se Saliut dhe Floririt!
Falemnderit perm iluminimin.
Falemnderit perm iluminimin. Por nese e keni fjalen per Mustafa Nanon, ai ka vite qe nuk eshte me pjese e kesaj faqeje mediatike.
Add new comment