Të zbukurosh historinë me Photoshop
Një artikull i amerikano-kanadezes VICE ka shkaktuar indinjatë në Kamboxhia. Shkak janë bërë disa foto të viktimave të regjimit të Kmerëve të Kuq.
Intervista e VICE me Matt Loughrey, e botuar të premten, shoqërohej me imazhe nga burgu Tuol Sleng i Kamboxhias, i njohur gjithashtu si S21, vendi ku u vranë dhe u torturuan mijëra njerëz në vitet 1975- 1979. Para botimit, fotografitë u bënë me ngjyra dhe në fytyrat e viktimave u shtuan buzëqeshje.
Njeriu që u mor me përpunimin e fotove tha se për projektin kishte bashkëpunuar me familjarë të viktimave, por rezultoi se ai nuk kishte pasur kurrë kontakte me mbajtësit e fotove.
Ministria e Kulturës dhe Arteve të Bukura në Kamboxhia reagoi zyrtarisht përmes një deklarate, në të cilën shprehet se “nuk e pranon këtë lloj manipulimi dhe vlerëson se puna e Matt Loughery cenon dinjitetin e viktimave dhe historinë e vërtetë të Kamboxhias”.
Ndërsa teksti i intervistës me Loughrey spekulon se viktimat mund të kenë buzëqeshur për shkak të nervozizmit, në të nuk përmendet askund editimi i fotove.
Reagimi bëri që VICE të hiqte tërësisht artikullin, duke e zëvendësuar me një shënim editorial, sipas të cilit, ai nuk përmbushte standardet e VICE. “Kërkojmë ndjesë për gabimin dhe do të verifikojmë mbi këtë incident”, thuhet në shënim.
Të paktën 1.7 milion njerëz u vranë gjatë sundimit të regjimit të Kmerëve të Kuq, të udhëhequr nga diktatori Pol Poti. Disa prej tyre vdiqën si pasojë e transferimeve të vazhdueshme dhe punës së detyruar, të tjerët u torturuan për vdekje në burgje dhe kampe. Mes 14 000-17 000 njerëz, përfshirë fëmijë, u dërguan në burgun famëkeq S21, ku shumë prej tyre u fotografuan para ekzekutimeve. Vetëm shtatë të burgosur aty mbijetuan.
Add new comment