Vaksina si kufi për liritë tona
Në Serbi është zhvilluar një diskutim interesant që sjell në vëmendje sesi emergjencat publike, ashtu siç përkufizohen ato nga autoritetet publike priret të mësyjë liritë e individit. Në një diskutim për Tv Prva në Serbi, virologu Milank Sekler, ka bërë këtë koment rreth situatës së krijuar me kundërshtimin relative ndaj vaksinimit për të cilin është propozuar të jetë I detyrueshëm:
Një vendim i tillë do të ishte kundër efekt. Njerëzit gëzohen nga fakti se janë kundër diçkaje. Ne kemi liberalizuar kaq shumë gjëra në jetë. Ne kemi ardhur në situatën ku praktika të tilla duhe të marrin fund – sepse liria është fituar me vështirësi dhe nuk mund të jepet kaq lehtë. Ne po vuajmë për shkak të kësaj. Ne donim një shoqëri demokratike dhe më pas e ekzagjeruam në praktikimin e lirsë. Liria ndalet në momentin kur nis të rrezikosh tjetrin
Komenti në fjalë nuk lë shumë vend për diskutim. Zotëria në fjalë përcjell perspektivën e një eksperti që në dritën e njohurive specifike, propozon kufizime si zgjidhje të problemit. Duke marrë guximin për të cilësuar se është ekzagjeruar me ushtrimin e lirsë.
Një tjetër pjesëmarrëse në diskutim, avokatja, Zora Dobricanin Ikodinovic, ka shkuar edhe më tej kur ka folur për përhapjen e lajmeve të rreme dhe frikësuese, që ndikojnë në fushatën e vaksinimit si një e mirë publike.
Diskutimi në fjalë ka shumë rëndësi sepse përfasëson një mendim dis konservator që e sheh lirinë si problem në kuadër të politikave që konsiderohen të domosdoshme. Vetë politikat publike mund të shihen si një kontratë mes individit dhe shoqërisë të zbatuara përherë me një defiçencë lirie, që është instrumenti i shtrëngimit. Megjithatë ka një premisë të pamohueshme, sidomos kur vjen puna te shëndeti, i cili është sidomos përgjegjësi individuale. Në pandeminë e tanishme u vu re më shumë se çdo herë tjetër karakteri përafrues i mjekësisë, e cila ofron zgjidhje dhe trajtime që menaxhojnë problemin pa e zgjidhur atë përfundimisht. Kur flasim për lajme të rreme, ne dueht të mbajëm parasysh edhe terapitë e gabuara që u përdorën, improvizimet e mëdha që kanë pasoja në shëndetin e njerëzve, pikërisht sepse u bënë të detyrueshme në trajtim.
Në këtë kuadër për cilën ekzagjerim lirie mund të flitet, kur vetë shteti dhe autoritetet kanë ekzagjeruar të drejtat e tyre në ushtrimin e përgjegjësive duke imponuar terapi, pa njohur përgjegjësi për pasojat e paparashikuara të tyre.
Si mund të flitet për ekzagjerim lirie kur i gjithë arsenali i lajmeve për problemet me vaksinat është prodhuar nga ente të specializuara, kur bllokimi i AstraZenecas është bërë nga shtete të ndryshme? Pra kur e gjithë pasiguria dhe mosbesimi ndaj institucioneve ka zënë fill nga paaftësia e këtyre të fundit për të dhënë përgjigje të përshtatshme dhe shteruese të paktën për atë që po ndodh?
Mjafton të shihet dyshimi që u ngrit nga 23 shtete për hetimin e OBSh-së për të kuptuar se ekzgjarimi me lirinë nuk vjen nga individët, por nga institucione të mirëpaguara, që të drejtat e veta dhe detyrat i kanë shndërruar në privilegje dhe autoritet të rremë, që lirinë për t’u shprehur e kanë keqpërdorur në kurriz të përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë. Që detyrimin për të kuptuar reagimin e publikut, e kanë asimiluar si normë brenda politikave detyruese. Përfundimi? Mosbesim dhe refuzim, elementë këto reaktivë ndaj një procesi vetëvrasës të demokracisë që po gërryhet edhe njëherë gabimisht në funksion të Sigurisë. E njohim mirë këtë këmbim në Ballkan, për fat të keq ende jo deri në pikën sa të na detyrojnë të bëjmë vaksinat. Të cilat po bëhen kambial i lirisë së lëvizjes edhe pse nga të njëjtë ekspertë na thuhet se kjo nuk është pandemia e fundit.
Add new comment