Nga mungesë vaksine, në kaos vaksinimi
Ndarjet që krijoi Covid-19 sapo nisi të përhapet në fillim të vitit të kaluar, tani po i thellon vaksina. Shumë vende të BE-së pezulluan përdorimin e AstraZenecas, vaksina e Oksfordit, për shkak të disa rasteve të mpiksjes së gjakut, që u regjistruan te të vaksinuarit. Konkluzioni i Agjencisë Europiane të Barnave, një ditë më parë, se AstraZeneca është e sigurt si imunizuese, bëri që të rifillonte fushata në disa prej tyre.
Shumë në Europë po e shohin këtë si një hakmarrje të Unionit ndaj Britanisë për Brexit, ndërsa në SHBA, vaksina e Oksfordit pret të marrë dritën jeshile të Administratës së Barnave dhe Ushqimeve për të nisur imunizimin. Edhe në këtë rast, politika është mpleksur sërish me vaksinën. Kjo e fundit është kthyer në një mjet me anë të të cilit aministrata Biden synon të frenojë emigrantët që mbërrijnë në kufirin me Meksikën. Një marrëveshje e presidentit të ri me homologun e Meksikës parashikon që kundrejt 250 mijë dozave, autoritetet matanë kufirit të vënë nën kontroll fluksin e emigrantëve që nisen drejt “tokës së premtuar”.
Përtej funksionit imunizues, vaksina po kthehet në një instrument të gjeopolitikës. Lloji i vaksinës që zgjedh një vend është kthyer në tregues të “aleancës” në të cilën rreshtohet.
Të gjetur para një klime mosbesimi të popullatës për vaksinën, liderët e disa vendeve kanë zgjedhur të vaksinohen vetë publikisht.
Boris Johnson u vaksinua më 19 mars me AstraZeneca. Kryeministri britanik nuk mund të zgjidhte vaksinë tjetër veç asaj të zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit, për t’i treguar botës se është e sigurt, pavarësisht dyshimeve të ngritura dy javët e fundit.
Në Itali, Mario Draghi, që sapo ka marrë drejtimin e qeverisë, ka deklaruar se do të vaksinohet me AstraZeneca, “njësoj si im bir në Londër”.
Edhe kryeministri Jean Castec në Francë ka thënë se do të vaksinohet me AstraZeneca, pasi EMA hapi për së dyti dritën jeshile për përdorimin e saj. Duhet shtuar se Franca e ka rinisur vaksinimin me të vetëm për moshat mbi 55 vjeç.
Në Indi, kryeministri Modi ka zgjedhur vaksinën e prodhuar në vendin e tij.
Viktor Orban në Hungari, një sfidues i BE-së, ka zgjedhur vaksinën kineze, edhe pse EMA nuk e ka aprovuar ende.
Edhe Erdogan në Turqi ka zgjedhur vaksinën kineze.
Në Rusi, Vladimir Putin nuk është vaksinuar ende. Krenar se vendi i tij ia doli me Sputnik V, Putin ka thënë se do të vaksinohet në vjeshtë.
Kryeministri izraelit nuk mund të zgjidhte tjetër veç vaksinës amerikane. Netanjahu është vaksinuar me Pfizer, njësoj si edhe kreu i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden.
Marrëdhëniet e mira me Amerikën e kanë çuar edhe princin e Arabisë Saudite, Mohamed bin Salman, drejt vaksinës amerikane, Pfizer.
Në Vatikan, ndoshta më shumë për shkak të nevojës sesa dëshirës për të përcjellë ndonjë mesazh, Ati i Shenjtë ka zgjedhur Pfizer. Ndërsa Dala Lama i ka besuar imunitetit të Astra Zeneca-s.
Add new comment