Përtej rotacionit/Duhet edhe përmbysja e hierarkive të rreme në shoqëri
Kooptimi i Najda Çomos dhe Luljeta Bozdos në radhët e kandidateve për deputete të Partisë Socialiste është një operacion marketingu që nuk sjell ndonjë gjë të re për ata që ndjekin politikën. Kryeministri Rama e di shumë mirë teknikën e të bërit pis përmes një oferte bujare që marketohet në emër të Shqipërisë, duke neutralizuar përmes pretendimit për kontribute, kundërshti eventuale. Ose duke higjenizuar radhët me përfshirjen në lista të atyre që mund të quhen ekspertë apo intelektualë publikë.
U çudit kush pak muaj më parë kur Zef Mazi, që nuk i ndalte kritikat, u rekrutua në pozicionin e negociatorit të Shqipërisë për në BE? Sot z. Mazi lobon për Shqipërinë e arritjeve, ndërkohë që deri më dje shihte me negativin.
Taulant Mukën e kujtoni që e bënë zv. Ministër pas një denoncimi? Më pas u largua por me kredencialet publike përtokë pasi hyri në skenë si një talent i veçantë.
Ose kur loja nisi me Ridvan Boden, që u strehua në Bankën e Shqipërisë ku mesa duket arkivon veten dhe problemet e mundshme që mund t’i hapnin pas 8 vjetësh revolucion.
Sot kemi zv. ministrin e Financave që nuk është as intelektual publik dhe as aktivist, por një arrivist që u katapultua si figurinë në radhët e ekzekutivit.
Lista mund të vazhdojë gjatë dhe me siguri që z. Rama do jetë ndjerë ngushtë ta zëmë, që në këtë bordero politike nuk arriti të merrte p.sh Ledio Biankun që doli në miting pranë Ilir Metës.
Pushteti pra është në luftë për rekrutimin e atyre që kanë disa kredenciale profesionale, të cilët po do t’i përdorë si amortizues për kauza të caktuara që çohen para nga kjo kategori. Dhe me këtë rast ne mund të shohim sesi një pjesë e elitës së këtij vendi, apo asaj që shpallet si e këtillë, të rreshtohet në karrige, duke formalizuar atë që ka kohë që ka nisur: dorëzimin e rolit publik kritik në këmbim të kontributit për vendin me levat e një qeverie që nuk ka nevojë as për sy që të shohësh se çfarë është. Korruptimi moral, apo edhe vetëbesimit që po ndodh është shumë më I rrezikshëm dhe negativ se çdo akt i Sali Berishës.
P.sh z. Berisha pati kritikë të qeverisjes së vet Ardian Klosin dhe Andrea Stefanin, të cilët jo vetëm që ishin kundër tij - ose shfaqeshin kështu - si model politik, social, kulturor dhe psikologjik, por edhe mobilizoheshin nga Berisha me aktet e veta. Fati e solli që të dy vdiqën dhe nëse shumëkush mund të ketë vërejtje dhe rezerva për atë që thoshin e mbronin, pakkush mund të thotë se të dy këta e bëin këtë në këmbim të ndonjë pozicioni publik. Nuk po flasim për idealistë, por për një raport të pranueshëm - ndonëse shpesh dogmatik dhe sektar - mes intelektualit dhe pushtetit, për distancën mes një qytetari dhe korrupsionit zyrtar, mes aktivistit dhe qeverisë që dhunon.
Ky raport mundet të jetë i vështirë, por ai ka të mirën se nuk korruptohet dhe as e korrupton palën kundërshtare sepse as nuk synon ta korruptojë opinionin publik, të cilin kërkon ta bindë. Është një duel pozicioni që në finale prodhon fitues dhe humbës, por jo hibridë.
Zoti Rama ishte përfituesi kryesor i këtyre lloj dueleve sepse me përkufizimin që rrjedh nga paragjykimi “qytetar” për Berishën ai ishte i rreshtuar me qytetarinë dhe “kauzat” e saj. Këtë premisë të relacioneve publike në Shqipëri, z. Rama e konvertoi në ingredient korruptimi sepse ka aftësinë të lexojë ekzigjencat minimaliste të “elitës” e cila nuk ka ide, por kërkesa materiale. Përballë kësaj kaloshine të mprehur mirë dhe me kujdes, qëndron një opozitë që nuk ka ditur të kundërveprojë as me ide dhe as me veprim, por nga mprehur edhe ajo qentë e slitës së vet që shquhen vetëm për shamatë të padëgjuar ndonjëherë e që teksa promovojnë veten, padashur zbulojnë lodrën e kryeministrit që rikrijon kështu tablonë e rreme “ne” dhe “ata” në një vend ku e vetmja politikë që ka mbetur është homogjenizimi i pereceptimit.
Është pikërisht kjo arsyeja se pse një kartë si Vetëvendosja po sulmohet kaq shumë dhe nga të dyja palët duke provuar kështu në tërësinë e vet se rotacioni i vërtetë është përmbysja e hierarkive morale të kësaj shoqërie. Që janë të rreme dhe të pavërteta, rrëzimi i të ashtuquajturave ikona të moralit dhe ndershmërisë publike që në të vërtetë miklohen si kalamajtë dhe kërkojnë një plate që në fakt nuk ua lë kush veçse si manekinë.
s.zaimi
Add new comment