KAS “sqaron” gjobën ndaj Veliajt
Vetëm një javë pasi kryebashkiaku i Tiranës u gjobit nga KQZ për shkelje të rregullave në zhvillimin e aktiviteteve elektorale, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve e ka anuluar këtë vendim.
Kryebashkiaku Veliaj u gjobit nga KQZ për mosdeklarim dhe promovim të aktiviteteve, pas denoncimit për vizitat në shtëpitë e rindërtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Menjëherë pas vendimit, ai tha se gjoba ishte e padrejtë dhe do ta apelonte. Ndërsa një ditë më pas, gjatë një vizite në një familje në Zall Herr, në krah të tij, kryeministri Rama tha se “gjoba do sqarohet sepse këto s’janë inaugurime”.
Dhe “sqarimi” nuk vonoi shumë.
"Duke konstatuar se caktimi i personit përgjegjës është bërë më 7 janar 2021 dhe raportimet në vijim janë vlerësuar në përputhje me ligjin dhe në këto rrethana nuk kemi përgjegjësi administrative, vendosëm shfuqizimin me gjobë ndaj Erion Veliajt të shumës 35 mijë lekë për mosraportim të aktiviteteve. Për pikën 2 duke konstatuar se gjatë veprimtarive të denoncuara nuk janë shpërndarë leje apo certifikata pronësie sipas ligjit, vendosi shfuqizimin e gjobës për shumë 40 mijë lekë ndaj Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë”, thuhet në vendimin e KAS.
Tashmë, kundër vendimit të dytë mund të apelohet në Gjykatën e Tiranës dhe këtë mund ta bëjë subjekti denoncues, LSI.
Add new comment