Shkencëtarët gjejnë prova të reja të lidhjes së SARS-CoV-2 me lakuriqët
Forma të ngjashme të SARS-CoV-2 mund të kenë qarkulluar te lakuriqët e Azisë prej shumë kohësh.
Shkencëtarët kanë zbuluar një virus që ngjan shumë me atë që shkakton Covid-19 në lakuriqët e natës në një zonë të Tajlandës lindore. Ata thonë se koronavirusët e ngjashëm mund të jenë të pranishëm te lakuriqët në shumë rajone aziatike.
Kjo zonë përfshin Japoninë, Kinën dhe Tajlandën, thuhet në studimin e botuar në “Nature Communications”.
Studimet e kaluara kanë sugjeruar që Sars-CoV-2 u shfaq te një kafshë fillimisht, përpara se të përhapej tek njerëzit.
Dy ditë më parë, një ekip i OBSH-së në Kinë doli në përfundimin se virusi erdhi nga kafshët, ndërsa shkencëtarët e Shkollës Mjekësore Duke-NUS në Singapor zbuluan se virusi i quajtur RacCS203 ka një kod gjenetik shumë të ngjashëm me Sars-CoV-2 (me 91.5% ngjashmëri në gjenomet e tyre).
Ai lidhet gjithashtu me një koronavirus tjetër - të quajtur RmYN02 - i cili gjendet në lakuriqët e Yunnanit, Kinë (me ngjashmëri 93.6% me gjenomin e Sars-CoV-2).
Një shqetësim i madh është aftësia e koronavirusëve për t'u zhvendosur te gjitarë të ndryshëm, për shembull macet, qentë dhe vizonët.
Duke lëvizur midis specieve, virusi mund të shndërrohet dhe të evoluojë në një patogjen të ri, i cili mund të shpjegojë se si u shfaq Covid-19.
Add new comment