Kina “hyn” në orbitën e Marsit

Postuar në 10 Shkurt, 2021 16:21

Një anije kozmike kineze hyri në orbitën e Marsit të mërkurën, në misionin për të çuar atje një rover, i cili do të mbledhë të dhëna për ujin nëntokësor dhe shenja të mundshme të jetës së dikurshme në planetin e kuq.

"Sonda kineze Tianwen-1 hyri me sukses në orbitën rreth Marsit të mërkurën, pas një udhëtimi gati shtatë-mujor nga Toka", njoftoi agjencia kineze e lajmeve, Xinhua.

Mjeti kinez i hapësirës bëhet anija e dytë kozmike brenda dy ditësh që arrin në orbitën e planetit të kuq, pas asaj të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Javën tjetër, në këtë përpjekje do ta ndjekë edhe SHBA-ja, e cila do të çojë një rover në sipërfaqen e Marsit.

Vetëm SHBA e ka prekur me sukses Marsin deri më sot. Misionet e Marsit në këtë kohë nxiten nga afrimi i planetit me Tokën, gjë që ndodh nëjeherë në dy vjet.

Misioni kinez është më ambiciozi në historinë e saj në hapësirë. Nëse gjithçka shkon siç është planifikuar, Kina do të bëhet vendi i dytë që e fiton këtë sfidë.

Emri i sondës, Tianwen, vjen nga titulli i një poezie antike dhe do të thotë "Kërkim i së vërtetës qiellore".

Ulja e një anije kozmike në tokën e Marsit është jashtëzakonisht e vështirë dhe përpjekja e Kinës do të përfshijë një parashutë, raketa dhe airbag për të lehtësuar zbritjen. Zona ku do të ulet sonda është shkëmbore dhe e njëjta që arriti të prekte sonda amerikane në 1976.

Në orbitën e Marsit prej pak ditësh lëviz sonda e Emirateve të Bashkuara Arabe, e quajtur Amal, arabisht shpresë. Gjashtë të tjera operojnë rreth Marsit: tre amerikane, dy evropiane dhe një indiane.

Tianwen-1 është përpjekja e dytë e Kinës për të dërguar një anije kozmike në Mars. Në vitin 2011, një përpjekje e ngjashme dështoi.

Programi hapësinor sekret, i lidhur me ushtrinë kineze, ka përparuar në mënyrë të konsiderueshme që nga ajo kohë. Në dhjetor, misioni i saj Chang’e 5 ishte i pari që solli shkëmbinj hënorë në Tokë që nga vitet 1970. Në 2019, Kina u bë gjithashtu vendi i parë që uli një anije kozmike në anën më pak të eksploruar të Hënës.

 

Comments

Submitted by Zerion (not verified) on

Kinezet po shkojne lart e me lart. Me siguri ky eshte shekulli aziatik.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.