Për çfarë do të vendosë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në çështjen Xhoxhaj kundër Shqipërisë?
Më datë 9 shkurt 2020 GJEDNJ do të shpallë vendimin e parë për çështjet e rivlerësimit kalimtar që u janë bërë gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri, i ashtuquajturi sistemi i Vetting-ut.
Gjyqtarja Altina Xhoxhaj, e para që do të ketë fatin të marrë një vendim nga GJEDNJ, u penalizua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (Vendimi nr.17, datë 4.6.2018) dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit (Vendimi nr.9, datë 24.10.2018) për këto shkaqe:
I. Nga analiza ligjore dhe financiare e shkaqeve ankimore të pasurisë nr. 1, apartament banimi me sipërfaqe të shfrytëzueshme 101 m2, plus 10 m2 sipërfaqe e përbashkët dhe në total pasuri me sipërfaqe 111 m2, ndodhur në adresën: Bulevardi {***}, numër pasurie {***}, kati {***}, nr. {***}, Tiranë, regjistruar në Zyrën e Regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë me kontratën e shitjes nr. 2908 rep. dhe nr. 629 kol., datë 07.12.2011, rezulton se bazuar në nenin 33, pika 5, germa “b” e ligjit nr. 84/2016, subjekti i rivlerësimit ka mungesë burimi financiar për të blerë pasurinë me vlerë 61.050 euro me të ardhurat e ligjshme të deklaruara dhe të ardhurat e ligjshme të provuara prej tij dhe personit të lidhur, për këtë arsye bazuar në nenin 33, pika 5, shkronja “ç” e ligjit nr. 84/2016 ka kryer deklarim të rremë, si dhe bazuar në nenin 33, pika 5, shkronja “c” e ligjit nr. 84/2016 ka kryer fshehje pasurie.
II. Nga sa rezultoi e provuar dhe e analizuar për pasurinë nr. 4 (likuiditete), rezulton një diferencë negative prej 1.288.258,57 lekësh, e cila është e ndryshme nga ajo që ka përllogaritur Komisioni (-1.972.969 lekë). Trupi gjykues i Kolegjit vlerëson se kjo shumë është e pajustifikuar dhe, për pasojë, bazuar në nenin D, pikat 3 dhe 5 të Aneksit të Kushtetutës dhe në nenin 33, pika 5, germa “b” e ligjit nr. 84/2016, arrihet në përfundimin se subjekti i rivlerësimit Altina Xhoxhaj nuk shpjegon bindshëm burimin e ligjshëm të këtyre shumave monetare dhe, për më tepër, subjekti Xhoxhaj përpiqet të fshehë dhe të paraqesë në mënyrë të pasaktë pasurinë në likuiditete. Gjithashtu, trupi gjykues i Kolegjit vlerësoi se subjekti i rivlerësimit Altina Xhoxhaj dhe personi i lidhur me të nuk kanë justifikuar ligjshmërinë e të ardhurave për t’i justifikuar këto shuma monetare.
III. Lidhur me pasurinë tokë bujqësore, me sipërfaqe 666 m2, me vendndodhje në fshatin {***}, Bathore, me 1⁄4 pjesë takuese, vlera totale 500.000 lekë + banesë karabina filluar ndërtimi në vitin 2000 me pjesë takuese 1⁄4, me vlerë 3 milionë lekë, subjekti i rivlerësimit Altina Xhoxhaj vlerësohet se ka bërë deklarim të pasaktë.
IV. Lidhur me burimin e krijimit të pasurisë banesë karabina, e filluar së ndërtuari në vitin 2000, në pjesë takuese 1⁄4 me vlerë tre milionë lekë në {***}, Bathore, subjekti i rivlerësimit Altina Xhoxhaj vlerësohet se ka bërë deklarim të pasaktë.
V. Në analizë të denoncimit të shtetasit {***}ndaj subjektit të rivlerësimit, vlerësohet se me mosveprimin e tij, subjekti i rivlerësimit, duke mos kërkuar heqjen dorë nga procesi kushtetues, për shkak të rrethanave ku ishte i përfshirë më parë edhe babai i saj në vendimmarrjen për shqyrtimin e çështjeve gjyqësore që kanë pasur lidhje me të njëjtin objekt material gjykimi dhe konflikti mes trashëgimtarëve “{***}” dhe denoncuesit{***}, si në Gjykatën e Apelit Tiranë, edhe në procesin kushtetues, nuk ka garantuar respektimin e parimit të paanësisë dhe ka krijuar dyshime në këndvështrimin e testit objektiv të këtij parimi, për rrjedhojë ka cenuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
Pasi shteroi të dyja shkallët, ish-gjyqtarja Altina Xhoxhaj u ankua në GJEDNJ duke ngritur disa pretendime. Pretendimi i parë i ankueses ka të bëjë me faktin se ajo nuk e konsideron “gjykatë të caktuar me ligj” Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Pra e thënë ndryshe, KPK nuk i plotëson kriteret përkatëse për t’u cilësuar si “gjykatë” dhe për rrjedhojë nuk do duhet të realizonte kontrollin e ankueses.
Ky është një argument tepër i fortë, i cili, nëse pranohet nga GJEDNJ rezulton të zhveftësoi të gjithë sistemin e vetting-ut në Shqipëri. Pra, çdo vendim që është marrë deri më sot do të konsiderohej nul nën optikën e GJEDNJ dhe vendimet e saj do të bëheshin të cënueshme nga vetë GJEDNJ mbi bazën e ankesave individuale.
I njëjti pretendim ngrihet edhe për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Edhe në këtë rast, pranimi i këtij argumenti do të zhvlerësonte përsëri të gjithë sistemin e Vetting-ut të realizuar deri më sot në Shqipëri.
Pra në lidhje më këto dy pretendime është e qartë që “basti” është tepër i lartë. Ndoshta kjo ka sjellë si pasojë që vetë Komisioni Evropian (organ i Bashkimit Evropian që ka mbështetur procesin e Vetting-ut, por vetë Bashkimi Evropian nuk është pjesë e Këshillit të Evropës dhe të GJEDNJ) të ndërhynte si palë e interesuar në këtë çështje (dhe në çështjet e tjera të ngjashme) ku ka argumentuar fuqishëm pikërisht plotësimin e kritereve ndërkombëtare që KPK dhe KPA të cilësohen “gjykata” në kuptim të KEDNJ.
Pretendimet e tjera kanë të bëjnë me nocionet kushtetuese dhe ligjore që kanë të bëjnë me kuptimin e termit “pasuri e ligjshme”. Pra në këtë rast ngrihet pretendimi nëse këto terma janë te sakta dhe respektojnë parimin e sigurisë juridike përsa i përket qartësisë së normës. Në po këtë linjë janë edhe shkaqet se përse organet e vetting-ut mund të shkarkojnë një gjyqtar apo prokuror nga detyra. Kështu janë ngritur pyetje nga GJEDNJ dhe kërkohen sqarime se ca kuptohet me termat "Deklarimi i pamjaftueshëm i pasurisë" dhe "Cenimi i besimit të publikut në sistemin e drejtësisë”.
Një tjetër qasje është edhe “barra e provës” që i ngarkohet subjekteve të rivlerësimit ku përfshihet si ngarkesa e madhe me dokumenta që ata duhet të sigurojnë, e lidhur kjo edhe me kërkimin e dokumentave dhe justifikimin e pasurive të cilat janë krijuar shumë vite më parë, ndoshta dekada. Një tjetër aspekt i rëndësishëm i ngritur si problematikë është edhe mbrojtja e jetës dhe të dhënave personale garantuar nga neni 8 i KEDNJ. Kështu legjislacioni për vetting-un kërkon nxjerrjen e të dhenave si për anëtarët e familjes ashtu edhe për persna të tjetër të konsideruar të “lidhur”. Në këtë pikë është ngritur për diskutim nëse kjo ndërhyrje është proporcionale dhe nëse ankuesja ka pasur mjetë për të kundërshtuar këtë ndërhyrje.
Ankesa përmban edhe pretendime për cënime të tjera si e drejta për t’u dëgjuar, mbrojtur etj. Është e kuptueshme që secili prej këtyre pretendime nëse pranohen në tërësinë e tyre i japin një goditje fatale sistemit të Vetting-ut. Ai do të duhej të rikonceptohej si edhe do të duheshin të rivlerësoheshin të gjithë personat e prekur nga ky sistem. Por edhe pranimi i pjesshëm i këtyre pretendime përsëri sjell një problematikë për këtë sistem.
Megjithatë një tjetër pikëpyetje ngrihet në këtë rast. A ishte rasti “Xhoxhaj kundër Shqipërisë” rasti ideal për të sfiduar sistemin e Vetting-ut në Shqipëri?
Kjo pyetje ngrihet, pasi znj. Xhoxhaj ka qenë gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese e cila ka anlizuar këto pretendime dhe vetë znj.Xhoxhaj është shprehur se parashikimet ligjore të Vetting-ut plotësojnë standardet kushtetuese dhe ndërkombëtare. Pra në dukje është vetë znj. Xhoxhaj që ankohet edhe kundër një vendimi që ka marrë po vetë znj. Xhoxhaj. Ky argument si edhe mbështetja e opinionit të Komisionit të Venecias (opinionet e të cilit nuk janë sfiduar deri më sot nga GJEDNJ), si edhe ndërhyja juridike e Komisionit Evropian në të gjitha proceset gjyqësore në GJEDNJ, nëse janë ngritur pretendime kundër mënyrës së funksionimit të organeve të Vetting-ut, i japin deri diku shpresë Qeverisë Shqiptare se do mund ta fitojë këtë sfidë. Megjithatë kjo mbetet ende për t’u parë.
e.m.
Add new comment