Pandemia, pabet irlandeze fitojnë betejën ligjore për t'u dëmshpërblyer nga kompanitë e sigurimeve
Pas shtëpive publike në Angli, radha për dëmshpërblim u takon pabeve në Irlandë. Gjykata e Lartë e këtij vendi ka vendosur që pabeve që janë mbajtur të mbyllura për 326 ditë për shkak të pandemisë duhet t’u paguhen miliona euro dëm, duke vendosur sektorin e sigurimeve para një fakti detyrues.
Irlanda është një vend me 4.9 milionë banorë dhe ku funksionojnë 7000 pabe. Kompania kryesore e sigurimeve, FBD, mbulon 1300 pabe dhe deri më sot ka rezistuar të paguajë duke arsyetuar se ndërprerja e aktivitetit nuk përfshihet në kontratë sigurime. Megjithatë raportohet se kompania ka hequr mënjanë 30 milionë euro në muajin gusht në pritje të gjykimit që mund të rezultonte me humbje.
Vendimi ilustron edhe njëherë jo vetëm dobinë e sigurimit si mënyrë për të ruajtur biznesin në moment vështirësie, por edhe rëndësinë e funksionimit të një gjyqësori të pavarur. Kjo edhe për ta vënë në kontekst kërkesën e vazhdueshme të sektorit të sigurimeve në Shqipëri që sa herë ka ndonjë fatkeqësi kërkon që sigurimi të bëhet i detyrueshëm, ndonëse është faktuar se në treg vepron me frymë oligopoli.
Add new comment