Qeveri teknike në Itali, vjen Super Mario
Dritë në fund të tunelit për krizën politike të radhës në Itali. Mario Draghi, ish-shefi i Bankës Qendrore Evropiane, shihet si çelësi i zgjidhjes së krizës. Draghi takohet sot me presidentin Sergio Mattarella, i cili e ka bërë të qartë domosdoshmërinë për një qeveri jo-politike që do të udhëheqë Italinë gjatë pandemisë së koronavirusit. Palët erdhën në këtë konkluzion pasi përpjekjet për të mbajtur gjallë koalicionin qeverisës të udhëhequr nga kryeministri Giuseppe Conte dështuan përfundimisht.
Matteo Renzi, i cili u bë shkak për rënien e qeverisë Conte, pasi u tërhoq nga koalicioni, e ka shprehur hapur mbështetjen për Draghin. Edhe ekstremi i djathtë i Matteo Salvinit nuk e kundërshton, megjithëse vijon të ngulë këmbë në zgjedhje të reja, me bindjen se ka shumicën.
Por presidenti e ka përjashtuar thirrjen e italianëve sërish në zgjedhje për shkak të situatës së pandemisë. Ish-numrit një të BQE-së do t'i besohet detyra për t'i dhënë jetë një ekzekutivi të ri dhe "të profilit të lartë", i cili do të duhet të luftojë virusin, të përballet me krizën sociale dhe të menaxhojë mbi 200 miliardë euro të planit te rimëkëmbjes. Me nofkën "Super Mario", 73-vjeçarit Draghi i njihet merita e ruajtjes së monedhës të përbashkët të Evropës, euro, kur ai ishte presidenti i Bankës Qendrore Evropiane.
Italia ka qenë shpesh në krizë politike përgjatë tre dekadave të fundit dhe qeveritë teknike janë parë si zgjidhje. Nëse Draghi formon kabinetin e vet, atëherë e tij do të ishte qeveria e katërt teknike në historinë e republikës së Italisë. E para ka qenë qeveria e Carlo Azeglio Ciampi-t në 1993, e dyta e Lamberto Dinit në 1995, dhe e treta ajo e Mario Montit në 2011.
Add new comment