Fëmijët e luftës/ 27 mijë në pritje të riatdhesimit në kampin e Al Holit
Janë 27 mijë fëmijët që duhet të riatdhesohen, për t’iu larguar jetesës në kushte të vështira që ofron kampi në verilindje të Sirisë. Shumica e tyre janë fëmijë të ekstremistëve të Shtetit Islamik, që dikur kontrollonin pjesë të mëdha të Irakut dhe Sirisë.
Shefi i antiterrorit në OKB, Vladimir Voronkov, është shprehur në një mbledhje online të Këshillit të Sigurisë në OKB, se “situate e tmerrshme në të cilën gjenden fëmijët e kampit të Al Holit është një nga çështjet më emergjente të botës në këtë moment”.
Fëmijët, shumë prej tyre pa prindër, janë vulnerabël dhe mund të bëhen pre e radikalizimit.
Kampi i Al Holit, më i madhi për refugjatët dhe të zhvendosurit për shkak të luftës, strehon aktualisht 62 mijë njerëz, sipas shifrave të OKB-së. më shumë se 80% e banorëve të kampit janë gra dhe fëmijë, shumë prej të cilëve u larguan pasi Shteti Islamik humbi Sirinë si “kështjella” e fundit, në vitin 2019. Megjithatë, ky kamp nuk është i vetmi, pasi në verilindje të Sirisë ka edhe kampe të tjera të vogla.
Sipas Voronkov, në kamp ka fëmijë nga 60 vende dhe përkujdesja për ta është përgjegjësi e tyre.
Deri tani, Rusia dhe Kazakistani kanë riatdhesuar rreth 1000 fëmijë.
Në këtë kamp ka edhe fëmijë shqiptarë. Rasti i fundit i riatdhesimit të tyre ishte ai i 26 tetorit 2020. Katër fëmijë dhe një grua u kthyen nga kampi i Al Holit pas angazhimit të qeverisë shqiptare me autoritetet vendase dhe Gjysmëhënën e Kuqe Siriane.
Një tjetër histori shqiptare në Al Hol ishte ajo e Alvin Berishës, fëmijës që u kthye pranë familjes së tij në tetor 2019, pas denoncimit të të atit në emisionin italian “Le Iene”.
Add new comment